Partia Socialiste e Shqipërisë e ka bërë tashmë seleksionimin e parë për emrin e Presidentit të ri të vendit, që do të pasojë Ilir Metën në krye të shtetit.
Dy ditë më parë doli numri i emrave që votuan deputetët e grupit të PS-së. Ishin 67 emra që propozuan deputetët për President. Mes tyre, padyshim që ka pasur edhe deputetë aktualë, teksa një pjesë janë lakuar edhe në media ditët e fundit.
Por kryeministri Edi Rama u preu shpresat dje, kur tha se kreu i ri i shtetit nuk do të dalë nga grupi parlamentar i PS-së. Kjo ka bërë që numri i propozimeve nga grupi të hiqen nga lista.
Por sa mbeten dhe kush janë të tjerët? Misteri vazhdon, të paktën në letra, pasi kryeministri mund ta ketë emrin.