Qeveria në mbledhjen e fundit vendosi hapjen e procedurës për pranime në administratë për disa nivele drejtuese. Numri i punonjësve që kërkohen për pozicionet për kategorinë e mesme dhe të ulët është 48.
VENDIMI
HAPJEN E PROCEDURËS SË PRANIMIT NË KATEGORINË E ULËT DHE TË MESME DREJTUESE EDHE PËR KANDIDATË TË TJERË JASHTË SHËRBIMIT CIVIL, PËR VITIN 2022
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 26, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Për vitin 2022, procedura e plotësimit të pozicioneve të lira të kategorisë së ulët dhe të mesme drejtuese, për të cilët lëvizja paralele është mbyllur pa fitues, të jetë e hapur edhe për kandidatë të tjerë nga jashtë shërbimit civil, që plotësojnë kushtet dhe kërkesat për vendet e lira.
2. Numri maksimal i pozicioneve, për të cilët do të përdoret procedura e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, është:
a) 12 (dymbëdhjetë) pozicione për kategorinë e mesme drejtuese;
b) 36 (tridhjetë e gjashtë) pozicione për kategorinë e ulët drejtuese.
3. Pozicionet, në të cilat mund të konkurrojnë dhe kandidatë nga jashtë shërbimit civil, për nivelin e mesëm drejtues, gjithsej, 9, si edhe për nivelin e ulët drejtues, gjithsej, 26, përcaktohen në lidhjen nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.