Prokurori i rrethit të Trentos ka ngritur aktakuzë për 47 të dyshuar për bashkim kriminal me qëllim trafikimin dhe tregtimin e drogës, e cila dyshohej se vinte nga Shqipëria.
Mes të dërguarve për gjykim, janë edhe 16 personat të cilët më 13 tetor iu nënshtruan masës paraprake, pas përfundimit të operacionit “Acqua Verde”, të zhvilluar në periudhën tetor 2019-dhjetor 2020 nga karabinierët e Njësisë Hetimore të Trentos ku u bë i mundur identifikimi dhe çmontimi i një rrjeti dyqanesh në Piazza Dante, pranë stacionit hekurudhor të kryeqytetit.
Gjithashtu, u identifikua një “qendër kombëtare klasifikimi”, e menaxhuar nga një grup italianësh në Romë, të cilët, duke përdorur një organizatë kriminale nigeriane, kryenin dërgesa – sipas kërkesës – në pjesën më të madhe të gadishullit, me interesa të veçanta në Veri. Sipas autoriteteve, çdo ditë dërgoheshin disa dhjetëra kilogramë marihuanë, e cila arrinte në Itali nga Shqipëria nëpërmjet kanalit të Otrantos.
Tregtimi i lëndës narkotike kryhej në Trento përmes kontakteve telefonike me përdorimin e kartave sims të regjistruara në subjekte fiktive, apo edhe përmes Whatsapp, Facebook dhe kanaleve të tjera Voip. Droga më pas, shpërndahej kryesisht në qytetin e Trento, Bolzano, Merano, Rovereto, në Piana Rotaliana dhe në komuna të tjera në Trentino Alto Adige, ku banda kontrollonte edhe rrjetet e shitjes me pakicë.