I mandatuari për qeverinë e re në Mal të Zi, Dritan Abazoviç tha se brenda pak kohësh, iniciativa për formimin e qeverisë se re do të shkojë në parlament dhe pret që për pak kohë të formohet qeveria e re.
Abazoviç përshkroi gjithë trajektoren e ardhjes së tij në politikë dhe pushtet, por edhe rrëzimin e qeverisë së Krivokapiçit, për të cilën tha se ka pasur anë të mira dhe gjëra të cilat i kundërshton.
“Unë jam shumë i kënaqur me këtë përfundim. Tani kemi mundësi ta krijojmë qeverinë dhe do të shohim se çfarë do të ndodhë. Por, edhe nëse nuk vjen te kjo gjë, një proces, të cilin ne e kemi nisur këtu, ndërrimin e imazhit të shqiptarëve, tregimin se shqiptarët mund të udhëheqin me gjithë institucionet më mirë se të tjerët, ky proces nuk mund të ndalet”, tha Abazoviç.
“Nëse vij në postin e kryeministrit do të jem kryeministër, i cili nuk bën kurrfarë dallimesh ndërmjet popujve, të cilët jetojnë në Mal të Zi. Ne nuk duhet në Ballkan të mendojmë të ndryshojmë kufijtë. Ideja për të cilën unë jam shumë afirmativ është që kufijtë t’i bëjmë të padukshëm, të jenë aty ku janë, të jenë vija administrative, fare normale si në tërë botën, si në tërë Evropën”, u shpreh Abazoviç.