Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje pritet të paraqesë sot në Kuvend 40 firma për formimin e Komisionit Hetimor për sektorin e energjisë. Ndryshe nga kërkesa opozitare, mazhoranca do të përfshijë zgjerimin e hetimeve për sektorin e energjisë që nga shpallja e pavarësisë deri në qeverinë aktuale.
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, thotë se në kërkesën për formimin e komisionit hetimor parlamentar për sektorin e energjisë do të përfshijnë edhe pikat që janë të propozuara nga opozita.
“Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje e mbështetë formimin e komisionit hetimor parlamentar për sektorin e energjisë, me spektër të zgjeruar kohor të hetimeve. Jemi të interesuar në funksionimin e mirëfilltë të demokracisë dhe zbardhjen e të gjitha rrethanave që e karakterizojnë sektorin e energjisë. Do të prezantojmë propozimin tonë për zgjerim të spektrit të hetimit parlamentar duke përfshirë edhe pikat që i ka propozuar tashmë opozita. Me dyzet nënshkrime të grupit parlamentar do të dorëzojmë këtë kërkesë që të mundësojmë formimin e komisionit hetimor parlamentar. Ne jemi të interesuar në zbardhjen e të gjitha fakteve që lidhen me vendimmarrjen me sektorin e energjisë që nga shpallja e pavarësisë deri në qeverinë aktuale dhe një propozim të tillë do të dorëzojmë (sot) në Kuvendin e Kosovës”, thotë ajo.
Tre partitë opozitare, PDK, LDK dhe AAK po kërkojnë me ngulm formimin e komisionit hetimor parlamentar për energjinë. Pavarësisht sigurimit të dyzetë firmave, mazhoranca nuk po e përkrah për mos respektim të rregullores së Kuvendit.
Për shkak të kësaj kërkese, opozita ka një javë që bojkoton votimet në komisionet parlamentare, madje një gjë të tillë e ka paralajmëruar edhe në seancën plenare.
Të enjten është seanca e rregullt plenare, ku në rend të ditës është edhe kërkesa e opozitës për formimin e komisionit hetimor parlamentar për krizën energjetike gjatë vitit 2021 dhe punësimet në KEK.