Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla e quan të turpshëm peticionin që është duke u shpërndarë në rrjetet sociale kundër ambasadores amerikane në Tiranë Yuri Kim. Ai tha sot nga Fieri se Kim është një nga ambasadoret më të mira që SHBA ka pasur në Shqipëri dhe sulmoi Sali Berishën.
“Këto janë sjellje të trashëguara nga regjimi komunist. Kam pasur mundësinë të lexoj nga ato paudhësitë dhe çmenduritë e regjimit, ku shtoheshin masat që të bënin sulme kundër personave të caktuar dhe natyrshëm edhe kundër pushtuesit ose kundër rrezikut anglo-amerikan. Pastaj e dini si i formonin sekretarët e byrosë këto historisë. Edhe ky sulm ndaj një prej ambasadorëve më të mirë që ka pasur SHBA në Shqipëri, zonjës Kim.
Më thoni me cilin prej ambasadorëve amerikanë në Shqipëri Sali Berisha pasur në këto 30 vjet marrëdhënie të mira? Është një turp, unë e kam thënë dhe dua ta ripërsëris. Krijimi i një fryme antiamerikane brenda PD-së me prirje për të gjetur aleat edhe në ndonjë aleat tjetër të Sali Berishës, apo ndonjë kalemxhi që paguhet nga lekët e pista të djalit të Berishës, mendoj se janë një turp që ta mbajnë atyre që u takon. Populli shqiptar është populli me % më të lartë të respektit dhe mirënjohjes ndaj SHBA” tha Balla.