“Nuk mund të dështojmë që të vendosim përballë drejtësisë përgjegjësit e krimeve të luftës në Ukrainë”.
Kështu ka deklaruar ministrja shqiptare për Evropës dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, në fjalën e saj në mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit.
Teksa falënderoi të gjithë të pranishmit dhe raportuesit në atë mbledhje Xhaçka theksoi se gjithë bota duhet të dëgjojë për krimet e luftës të kryera në Ukrainë.
“Është e dhimbshme t’i dëgjosh po duhet”, tha bindshëm ajo.
Sipas ministres llogaridhënia është baza e sistemit të të gjitha shteteve.
Si çdo herë në fjalën e Xhaçkës në Këshillin e Sigurimit nuk kanë munguar as referencat historike me atë që dikur ka ndodhur në Ballkanin Perëndimor.
“Unë vi nga Ballkani Perëndimor. Skenat e gjakderdhjes dhe shkatërrimit që ne shohim në pamjet që vijnë nga Ukraina, godasin shumë më ndryshe dikënd, për të cilin lufta dhe krimet e luftës nuk janë gjëra për të cilat lexoni në librat e historisë, por kujtime nga disa dekada më parë”, paralelizoi ajo.
Xhaçka solli në vëmendje ngjarjet e vitit 1999, kur Shqipëria strehoi qindra familje që kishin ikur nga lufta brutale dhe fushata e spastrimit etnik në Kosovë.
“Thellë në memorien time nga ajo kohë ka mbetur ajo ndjenja e pafuqisë për të ndaluar atë që po ndodhte duke besuar fort se kushdo që po i kryente ato krime të tmerrshme duhej të paguante”, deklaroi ajo.