Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, ka telefonuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti për ta falënderuar për sanksionet që Kosova i ka vënë Rusisë. E veçanta e kësaj telefonate ishte se, si Kurti ashtu edhe Borrell janë në kontinente tjera.
“Falënderoj Përfaqësuesin e Lartë Josep Borrell për thirrjen e tij nga Kili. Megjithëse të dy larg shtëpisë, në dy kontinente, por në një zonë kohore, gjetëm disa momente për të diskutuar situatën aktuale dhe për të ndjekur dialogun e ardhshëm në rajonin tonë. Ai përsëri falënderoi Kosovën për përafrimin me sanksionet e BE-së kundër Rusisë”, shkroi Kurti në llogarinë e tij në Twitter.
Ndryshe më 21 prill, kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, ka bërë të ditur se me palën serbe nuk kanë arritur marrëveshje për çështjen e targave.
Deklaratat e Bislimit kanë ardhur pasi ai është takuar me të dërguarin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, teksa sot është afati i fundit për të gjetur një zgjidhje të përhershme për çështjen e targave të automjeteve.
Ndërkaq më 25 prill, Ndihëmssekretarja amerikane për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried, pas takimit që pati me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar se është urgjente që Kosova dhe Serbia të ri angazhohen në dialog.