Nesër Komisioni i Rithemelimit të drejtuar nga Sali Berisha do të zhvillojë Kuvendin Kombëtar për zgjedhjen e strukturave të reja, kryesore Këshilli Kombëtar. Zëdhënësja e grupit të Berishës, Florjana Garo njoftoi mesditën e sotme listën me emrat e kandidatëve, 406 në total për 150 vende në Këshillin e ri Kombëtar.
Në sy bie rikthimi i figurave të vjetra të PD-së, ish-deputetë, por edhe artistë, mjekë, etj. Gjithashtu në listë janë edhe figura të reja në garë për një vend në Këshillin Kombëtar.
Arben Imami, Aleksandër Biberaj, Ardian Isufi, Bujar Kapexhiu, Dasho Aliko, mjeku Ilir Alimehmeti, Glauk Olldashi, Julian Deda, këngëtarët Bleona Qerreti dhe Renis Gjoka, etj janë në listën e gjatë të kandidatëve. Përkrahësit e Enkelejd Alibeajt nuk do të jenë pjesëmarrës në kuvend nesër.