Prishtina është njëra nga qytetet e preferuara të senatorit amerikan Chris Murphy i cili vizitoi Kosovën para dy javësh së bashku me dy senatorë të tjerë. Senatori demokrat e ka përshkruar udhëtimin e tij në Prishtinë me dy detyra kryesore që kishin, vizitë civilëve afganë në Bondsteel dhe dërgimin e mesazhit të fuqishëm qeverisë së re të Albin Kurtit për rifillim të dialogut me Serbinë, shkruan Gazeta Express. Murphy, qeverinë e Kurtit e quan kokëfortë sa i përket negociatave me Serbinë.
“Detyra jonë e dytë ishte t’i jepnim një mesazh të fortë qeverisë së re të Kosovës në takimet tona me Presidenten e re, Vjosa Osmani, dhe aktivistin e kthyer në kryeministër, Albin Kurti. Kosova do të dëshironte të anëtarësohej edhe në NATO edhe në Bashkimin Evropian, por që kjo të ndodhë, Serbia dhe Kosova duhet të arrijnë një marrëveshje në të cilën të dyja të njohin ekzistencën legale të shtetit tjetër. Një dialog drejt këtij qëllimi është në proces, por si qeveria serbe ashtu edhe ajo e Kosovës nuk kanë bërë përparim të mjaftueshëm dhe së fundmi, qeveria e Kurtit ka qenë veçanërisht kokëfortë rreth vazhdimit të bisedimeve”, ka thënë senatori Murphy.
Senatori Murphy që vjen nga partia demokratike ka qenë i shoqëruar nga senatorja Shaheen poashtu demokrate dhe senatori republikan Thom Thillis.
Murphy i përshkruan dy takimet me Kurtin e Osmanin si takime ku të tre senatorët ishin konsistent në mesazhin që u dërguan atyre se Kosova duhet të kthehet në tavolinën e bisedimeve me Serbinë dhe sipas tij, Kurti e Osmani ishin të hutuar me mesazhin e koordinuar bipartizan.
“ Brenda të dy takimeve, Shaheen, Tillis dhe unë ishim rigorozisht të qëndrueshëm në mesazhin tonë për nevojën për t’u kthyer në bisedime serioze me Serbinë. Për shumë çështje të brendshme, ne mund ta gjejmë veten lehtësisht në faqe të ndryshme. Unë jam një demokrat progresiv, senatorja Shaheen është një demokrate më e moderuar dhe senatori Tillis është një republikan konservator. Unë kam udhëtuar shumë herë më parë me Shaheen, por kjo ishte hera e parë që ne të tre punonim së bashku jashtë shtetit. Kimia jonë ishte e natyrshme dhe në takimet tona me Kurtin dhe Osmanin, mendoj se të dy u hutuan nga mesazhi i koordinuar dypartiak”, e përshkruan Senatori Murphy takimin me dy liderët kosovarë.