Gazment Bardhi, i ftuar në “5 pyetjet nga Babaramo”, ndër të tjera, zbuloi edhe bisedën që pati me Sali Berishën pas rikthimit të ish-kryeministrit në selinë e PD.
Bardhi u shpreh se Berisha ka kërkuar imponim të vendimeve të tij, por kjo gjë, sipas tij, është kundërshtuar nga shumica e grupit parlamentar të PD-së. Bardhi theksoi se koha e dhunës për imponim brenda PD-së ka përfunduar në vitin 2013 kur Berisha u tërhoq nga PD.
“I kam bërë të qartë se do të zbatojmë vendimin e gjykatës. Përgjigja ka qenë krejt dakord. Së dyti, i kam kërkuar të ndërpresë proceset e njëanshme që ka nisur në PD. Kam marrë përgjigje, që ai është një vendim i marrë dhe nuk tërhiqet. Unë i kam thënë se bëhet fjalë për një vendim të imponimit personal të Berishës. Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe pjesa më e madhe e grupit parlamentar. Koha e dhunës për imponim brenda PD-së ka përfunduar në vitin 2013, kur ai u tërhoq nga PD”, tha Bardhi.