NGA AGIM TORO
Zotëri, Unë që po të shkruaj quhem Agim Toro. Është e disata herë që me përmend në diskutimet e tua në Kuvendin e Shqipërisë, duke bërë sulme personale ndaj personit tim dhe ndaj shoqatës së pronarëve, të cilat unë i kam përfaqësuar.
Në vitin 2014, vure njeriun tënd të shpifte kundër meje që të ngrinte opinionin publik sikur unë me dokumente të dyshimta kisha përfituar prona në Ksamil e Butrint. Gjithashtu, në vitin 2014 angazhove avokaturën e shtetit dhe fillove një gjykim kundër meje dhe pronarëve që kanë prona në Ksamil, nga ky gjykim ke rezultuar gjyqhumbës në Shkallë të Parë, tani po kërkon të intimidosh Gjykatën e Apelit. Pikërisht në funksion të kësaj, një ditë para mbajtjes së seancës gjyqësore, dole në Kuvend dhe pikërisht në datën 28.4.2022, duke më quajtur mua si stër-stër-stër-stër-stër-stër-stër-stër nipin e atyre që kishin ndërtuar Amfiteatrin e Butrintit.
Në rastin e parë edhe task-forca e Këshillit të Ministrave që kontrolloi gjithë dokumentacionin e pronësisë së gjyshit tim në Ksamil e Butrint arriti në konkluzionin se dosjet e mia ishin të plota, siç e kërkon ligji dhe dokumentet e paraqitura prej meje ishin të sakta dhe vërtetonin se: gjyshi im ka qenë pronar nga viti 1921 kur ai bleu tokat në Ksamil e Butrint e deri në vitin 1945 kur e shpronësuan padrejtësisht e pa shpërblim. Besoj se këtë informacion jua ka dhënë qysh më 2015 dhe je plotësisht i informuar. Dua të theksoj se kërkimet arkeologjike në Butrint kanë filluar më 1928 dhe gjyshi im ka qenë në konflikt me qiramarrësit që nuk u lejuan, përkohësisht, të kullosnin bagëtinë. Ky dokument ndodhet në Arkivin e Shtetit, një kopje e ka Avokatura e Shtetit si dhe Auron Tare, që kishe vënë drejtor në Butrint dhe që e masakroi atë.
Dua të ndalem te diskutimi yt i dt.28.4.2022, ku shpife e gënjeve paturpësisht për atë personin fizik që pretendon se është pronar i Butrintit.
Së pari: Në zonë janë shpallur pronare disa familje dhe Kryegjyshata Bektashiane, të cilat kanë pasur në bashkëpronësi kullotën e Ksamilit dhe nuk është vetëm një person fizik siç gënjeve në Parlament, kjo provohet me dokumente shtetërore të prodhuara dhe të lëshuara nga qeveria jote.
Së dyti: E drejta e pronësisë për këto familje është provuar me dokumentacion arkivor nga viti 1921 e deri sot.
Së treti: Vetë shteti shqiptar dhe të gjitha qeveritë nga 1994 e deri sot, madje edhe qeveria që drejton ti, i njeh zyrtarisht si bashkëpronarë me shtetin shqiptar këto familje dhe pranon të drejtat e pronësisë së tyre, kjo është pranuar edhe gjyqësisht nga Avokatura e Shtetit.
Ju kërkoni të jepni me koncesion të gjithë Parkun e Butrintit duke përshirë në këtë koncesion jo vetëm pronat e shtetit, por edhe ato private, çdokush mund të pyesë a janë pyetur pronarët për këtë koncesion. A kanë dijeni pronarët se prona e tyre po jepet me koncesion nga qeveria? Përgjigjja të takon ty, por ti nuk përgjigjesh.
Meqenëse ti nuk përgjigjesh, apo edhe kur përgjigjesh gënjen, po bëj unë publik qëllimin që ke:
Nën petkun e Parkut Arkeologjik të Butrintit, ti ke në plan të japësh me koncesion jo vetëm sipërfaqen ku shteti është pronar, por edhe pjesën tjetër ku prona është private.
Të përfshish në këtë koncension bashke me pronën e shtetit edhe pronën private timen dhe të disa familjeve të tjera.
Pas kësaj, nën petkun e këtij koncesioni, do të lejosh ndërtime hotelesh dhe resorte turistike nga oligarkët apo miqtë e tu. Ky koncesion do të përfundojë si të ngjashmit e tij, ai i inceneratorëve apo të tjerë, kostot e tij do t’i paguajnë pronarët dhe qytetarët shqiptarë.
Për të përligjur vjedhjen që kërkon t’u bësh pronarëve që kanë në bashkëpronësi me shtetin këtë pronë dhe për të marrë për vete dhe miqtë tuaj pronën e pronarit, pasi nuk të mjaftoi ajo e shtetit shqiptar, dole në foltoren e Parlamentit dhe shpife publikisht kundër pronarëve; këtë e bërë për të mbrojtur koncesionin sekret që ke taksur për vete dhe miqtë e tu.
Për ta bërë sa më të lehtë marrjen e pronës së pronarit qëllim tjetër kryesor është presioni ndaj gjykatës, sepse e di që gjyqin në Shkallën e Parë e ke humbur, pra, u bën presion gjyqtarëve që të prishin vendimin e Shkalles së Parë dhe të marrin vendimin që ëndërron ti.
Po, theksoj se kam qenë e jam pronar, por kurrë nuk kam vajtuar atje për të penguar apo dëmtuar në çfarëdolloj forme qendrën Arkeologjike të Butrintit.
Në ligjshmërinë e shtetit shqiptar është e përcaktuar qartë marrëdhënia midis pronarëve dhe shtetit në këto raste dhe unë kam qysh në tetor 2021 që i jam drejtuar ministres së Kulturës, duke theksuar zgjidhjet e mia ligjore, por deri më sot nuk kam marrë asnjë përgjigje.
Për arsyen e thjeshtë, ju e keni vendosur që pronën e pronarëve t’ua jepni miqve tuaj me koncesion. Shpifjet e tua kanë vetëm një qëllim: të përfitojnë sa më shumë njerëzit e tu apo edhe ti vetë nga të ardhurat që nxjerr Butrinti (mbi dy milionë EURO në vit) dhe pronaret e vërtetë të mos marrin asgjë.
Unë vërtet jam nipi i gjyshit tim, që bleu tokat në Ksamil e Butrint në vitin 1921 dhe për këtë mburrem me trashëgiminë që më ka lënë ai, por ti je në anën e kundërt edhe ti mburresh me trashëgiminë e gjyshit tënd për të marrë pronat e të tjerëve. Si shpjegohet që gjithë mllefin e ke me pronarët e ligjshëm dhe nuk të bën përshtypje ndërtimi i fshatrave turistikë apo legalizimet në Ksamil, ku janë lejuar dhe lejohen ndërtimet e paligjshme dhe legalizimet edhe sot e kësaj dite apo janë me lejen dhe porosinë tënde?
Në vitin 2013, kur more pushtetin, bëre propaganda të mëdha se do luftojë korrupsionin me pronat dhe prona do t’u kalonte pronarëve të vërtetë. Por, pasi more pushtetin, jo vetëm që nuk mbajte asnjë premtim, por fillove të hiqje nga puna të gjithë ata që kërkonin të mbronin këtë të drejtë. Një prej tyre isha edhe unë që kërkoja të zbatohej ligji dhe të merreshin vendime sipas tij. Po drejtoresha që vure merrte urdhra dhe udhëzime nga ti dhe, duke shkelur ligjin, nuk mori asnjë vendim për tre vjet dhe gjithë dosjet pa vendim i ktheu te subjektet që duhet të ndiqnin rrugën gjyqësore. Ky është një shpërdorim i hapur i detyrës, por ajo justifikohej se ishte urdhëruar nga ti.
Duke pasur për qëllim që të hakmerreshe, me një letër të thjeshtë pushove nga puna pa asnjë arsye. Iu drejtova rrugës ligjore dhe fitova gjyqet në të tria shkallët e gjyqësorit, pasi nuk u paraqit asnjë shkak për pushimin tim nga puna, për pasojë me vendim nr.2757, dt. 3.7.2014 të Gjykatës së Apelit Administrativ lënë në fuqi me vendim 00-2016-3281, dt.21.12.2016, të Kolegjit Administrativ të Gjykatës së Lartë, fitova të drejtën të dëmshpërblehesha me 15,5 paga mujore, por kanë kaluar tetë vjet dhe vendimi i gjyqit nuk zbatohet. Jam interesuar për ekzekutimin e vendimit dhe përgjigjja ka qenë që sa të jetë Edi Rama në pushtet, unë nuk do të merrja asnjë qindarkë pavarësisht, se edhe Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit Administrativ.
Gjatë debateve që janë zhvilluar për pronën që trashëgoj, ndodhur para dokumenteve të sakta e të plota e të paraqitura prej meje dhe të vërtetuara nga task-forca e Këshillit të Ministrave, përfaqësuesi yt që shpifi kundër meje, iu mbyll goja dhe tashti ka vetëm një argument kundër meje që i kam kthyer vetes pronat që më takojnë.
Kryeministër, Në vitin 2014, si rezultat i presioneve që m’u bënë, u detyrova të emigroja në SHBA me gjithë familjen time. Sot, nga trashëgimtarët e gjyshit tim, Bido Toro, jemi shtetas të SHBA të paktën 10 vetë nga 26 gjithsej dhe të gjitha shikojnë se si prona e tyre rrëmbehet, nga një shtet, që, për fat të keq, po demonstron gjithnjë e më shumë se në drejtim të pronës nuk ka ndryshuar asgjë nga e kaluara e hidhur. Duhet të keni parasysh se asnjë rregull e asnjë ligj që mund të miratosh e të mund të na e heqësh pronën, sepse Kushtetuta nuk ta lejon as me referendum.
Unë kam qenë për shumë vjet sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës Kombëtare të të Shpronësuarve “Pronësi me Drejtësi” dhe jam shumë krenar për këtë se jam përpjekur gjithmonë në rrugë demokratike që pronarët e vërtetë të marrin pronat që u takojnë. Dështuat me ligjin e pronës të vitit 2015 dhe tashti po përpiqeni t’i vini arna, por është e pamunduar të zgjidhni problemin po nuk luftuat korrupsionin galopant me pronat, të mos përkrahen oligarkët dhe ndërtuesit afër jush, duke ua shitur me çmime qesharake. Në Ksamil, çmimi i tokës, sipas vendimit tënd, është vetëm 88 lekë për metër katror, pra, më pak se një dollar për metër katror duke vendosur çmimin më të ulët në republikë, në perlën e turizmit shqiptar. Politika jote e theksuar antipronar po e shkatërron përfundimisht atë vend ku sundon korrupsioni dhe krimi i organizuar. Ka një shprehje që qarkullon, në çdo shtet ka mafie, ne Shqipëri mafia ka shtet dhe në krye të këtij shteti je ti. Kjo është vetëm përgjigjja e parë imja. Do kërkojmë në shtetin ku jetojmë që të denoncojmë dhe mbrojmë me çdo kusht pronën tonë sepse SHBA nuk fal për shkeljen e të drejtave të njeriut.
* BASHKËPRONAR NË KSAMIL DHE BUTRINT