Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, sot do të qëndrojë për një vizitë njëditore në Greqi, ku do të marrë pjesë në përurimin e fillimit të punimeve për ndërtimin e terminalit të gazit të lëngshëm natyror (LNG) në Aleksandropoli.
Brukseli zyrtar thotë se ndërtimi i këtij terminali do të ndihmojë Bashkimin Evropian të zvogëlojë varësinë e tij nga gazi rus sa më shpejt të jetë e mundur.
Sipas Tanjug, ndërtimi i një terminali të ri të gazit do të përmirësojë furnizimin me gaz dhe infrastrukturën në të gjithë rajonin e Evropës Juglindore.
Projekti do të sigurojë burime dhe rrugë të reja për furnizimin me gaz natyror dhe do të përmirësojë sigurinë e furnizimit në Greqi, Bullgari dhe vende të tjera në rajon, tha Këshilli Evropian.
Në këtë ceremoni do të marrin pjesë edhe presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, ai i Bullgarisë Kiril Petkov dhe shefi i qeverisë së Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski.