Në Departamentin e Krimeve të Rënda në Gjykatën Themelore në Prishtinë u zhvillua seanca fillestare në rastin e “53 milionë eurove”, ku të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare janë ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, Eset Berisha, këshilltar i lartë politik i tij, Nebih Shatri, ish-sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës si dhe Besim Tahiri, drejtor i Prokurimit Publik në këtë ministri.
Seanca e parë në këtë rast u zhvillua më 20 prill 2022, por u shty për sot pasi që i akuzuari Pal Lekaj tha se nuk e ka lexuar aktakuzën dhe kërkoi 10 ditë kohë për përgatitje.
Ndërsa, Prokuroria Speciale, më 4 shkurt 2021, ka ngritur aktakuzë ndaj Pal Lekajt dhe të tjerëve për përfshirje në korrupsion kur ishte vendosur për dhënien e 53 milionë e 100 mijë eurove për vazhdimin e punimeve në Autostradën “Arbën Xhaferi” që lidh kryeqytetin me Hanin e Elezit.
Të akuzuarit pas leximit të aktakuzës janë deklaruar të pafajshëm.
Ish-këshilltari i Lekajt, Eset Berisha, ka kërkuar nga prokurori që ta sqarojë se çfarë dispozite ligjore ka shkelur sa ka qenë këshilltar ligjor i ministrit.
“Por sa i përket rregullores kisha pas dëshirë nga Prokuroria speciale të sqarojë dispozitat ligjore që gjatë kryerjes së detyrës zyrtarë kam rënë ndesh me atë dispozite ligjore. Aktakuzën tjetër e kuptoj dhe e konsideroj vetën të pafajshëm”, ka thënë Berisha.
Seanca e radhës për këtë rast është caktuar më 17 qershor në orën 10:00.