Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, nga data 8 maj do të qëndrojë për një vizitë zyrtare në Izrael. Gërvalla do të pritet nga homologu i saj Lapid, si dhe më pas do të zhvillojë takime me kryetarin e Jerusalemit Moshe Leon, ministrin për Jerusalemin dhe Trashëgiminë Zeev Elkin, kryetarin e Federatës Izraelite të Odës Ekonomike Uriel Lynn dhe një grup mërgimtarësh, të cilët jetojnë në Izrael.
Gjatë kësaj vizite temat kryesore do të jenë avancimi i marrëdhënieve diplomatike mes dy shteteve, zhvillimet aktuale rajonale dhe ndërkombëtare.
Siç njofton MPJ, me qëllim të thellimit të marrëdhënieve dypalëshe do të nënshkruhen katër marrëveshje të bashkëpunimit, përmes të cilave Qeveria e Kosovës dhe Qeveria e Izraelit do të angazhohen për të promovuar dhe intensifikuar bashkëpunimin në fushën e edukimit, kulturës, bashkëpunimit ekonomik, bujqësisë, ujërave, shkencës, teknologjisë, inovacionit, shëndetësisë dhe fushave të tjera me interes të përbashkët.
Vizita e ministres Gërvalla në këtë shtet është e para e një ministri të Punëve të Jashtme të Kosovës, që nga njohja e Republikës së Kosovës nga Izraeli.