Dita e sotme do të jetë e mbushur me zhvillime brenda Partisë Demokratike, të ndarë në tre grupe, pro Berishës, kundër dhe neutralët, që presin zgjidhjen finale përtej ish-kryeministrit dhe ish-kryetarit Lulzim Basha.
Në orën 13:00 Sali Berisha pritet që të ketë komunikimin e përjavshëm me median, në 16:30 do të mbledhë Komisionin e Rithemelimit dhe në 18:00 Këshillin Kombëtar.
Ky organ mblidhet për herë të parë pasi u votua në 30 Prill. Sot pritet që të zgjidhet kryetari i këtij organi. Kandidaturat potenciale janë dy; Jozefina Topalli dhe Edi Paloka.
Por grupi tjetër në PD, që është pro Lulzim Bashës dhe kundër Berishës, nuk e njeh Komisionin e Rithemelimit dhe organet e dala në 30 Prill duke vijuar punën paralelisht.
Zëdhënësja e grupit të PD-së, Oriola Pampuri pak orë përpara se grupi i Berishës të nisë aktivitetet e programuara për sot ka dalë me një njoftim.
Postimi i deputetes Oriola Pampuri
NJOFTIM SI ZËDHËNËSE E GRUPIT PARLAMENTAR TË PD-së.
Në vijim të kërkesës së bërë ditën e djeshme dhe njoftimeve të bëra nga sekretari i Grupit, sot, më 6 maj 2022, ora 09:15, në mbështetje të nenit 16 të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë dhe neneve 5 dhe 6 të Rregullores së Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, në ambientet e Zyrës së Grupit pranë Kryesisë së Kuvendit, u mblodh Kryesia e Grupit Parlamentar të PD-së, e cila pasi diskutoi cështje të axhendës parlamentare, me shumicë votash, vendosi:
1. Kryesia e Grupit të PD-së do të mblidhet rregullisht cdo javë, ditën e premte, ora 09:15.
2. Mbledhja e Kryesisë do të zhvillohet jashtë rradhës ditën e hënë, datë 9 maj 2022, ora 09:15.