Gjykata e Posaçme ka lënë në burg Hekuran Markun, ish-bodigardin e Saimir Tahirit, duke mos e ndryshuar masën e sigurisë, “arrest me burg”.
Marku u arrestua në Gjermani në gusht të vitit të kaluar për llogari të dosjes “Shpirti”. 47-vjeçari u ekstradua nga Gjermania vetëm një ditë më parë.
Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, në kuadër të operacionit “Shpirti”, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafik narkotikësh”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”.
Avokati Tonin Prendi ka folur para mediave duke thënë se Marku është njohur me Bregasin në fushatën e vitit 2015 për Partinë Socialiste.
“Vetëm iu komunikua masa e sigurisë që u mor në mungesë të tij. Faktin që është i pandehur është në dijeni. Në 2013 ka filluar punën si punonjës i gardës dhe pastaj në kuadër të fushatës elektorale ka rastisur që është njohur me Eltjon Bregasin. Por nuk them që është marrë me fushatë elektorale Hekuran Marku. Në kuadër të asaj fushate për PS është njohur me Eltjon Bregasin dhe ka rezultuar që sipas akteve që paska referuar tek institucionet e drejtësisë, informacione që implikojnë Hekuran Markun, gjë të cilat i kundërshtoi me forcë në këtë seancë gjyqësore”, tha Prendi.