Shumë larg anëtarësimit në Bashkim Evropian dhe me qytetarë që nuk kanë të drejtë të lëvizin pa viza në shtetet e BE-së, Kosova feston edhe këtë vit 9 Majin – Ditën e Evropës.
Si festë zyrtare që është, kjo ditë përcillet me pushim në Kosovë, ndryshe prej gati të gjitha vendeve të BE-së, ku 9 Maji është ditë e zakonshme pune.
Artan Muhaxhiri, njohës i proceseve politike në Kosovë, e cilëson paradoksale mënyrën se si institucionet e Kosovës e festojnë Ditën e Evropës.
“Ky vendim [shpallja festë zyrtare e 9 Majit] është marrë në kohën kur institucionet dhe qytetarët kanë qenë plot shpresë për integrimin e Kosovës në BE. Mirëpo, aktualisht, realiteti është krejtësisht ndryshe. Institucionet e festojnë një ditë të një institucioni që nuk i trajton me dinjitet as institucionet kosovare, e as qytetarët”, thotë Muhaxhiri për Radion Evropa e Lirë.
Sipas tij, BE-ja e ka neglizhuar Kosovën si në procesin e integrimit, ashtu edhe në procesin e liberalizimit të vizave – për të cilin janë plotësuar të gjitha kushtet.
Muhaxhiri thotë se kjo “neglizhencë” krijon përshtypjen se Kosovës “i kërkohet vetëm të japë dhe të mos përfitojë asgjë në këmbim”.
Qeveria: Këtë vit kemi plane të mëdha në agjendën evropiane
Qeveria e Kosovës, në anën tjetër, zotohet se do të ndërmarrë sivjet disa hapa drejt konkretizimit të proceseve integruese në BE.
Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, nga Qeveria thonë se janë duke punuar ngushtë me shtetet që janë skeptike për liberalizimin e vizave për kosovarët.
Për këtë proces, Qeveria thotë se ka arritur që t’i bindë disa prej tyre, por nuk specifikon cilat.
“Po bëhen katër vjet që çështja [e vizave] ka ngecur në Këshillin e BE-së, pra te vendet anëtare. Falë punës në sundimin e ligjit, luftës kundër korrupsionit e krimit të organizuar dhe zhvillimeve pozitive në performancën ekonomike, ne kemi arritur që disa shtete hezituese dhe neutrale t’i kthejmë në favor të mbështetjes për liberalizim”, thonë nga Qeveria.
Sipas tyre, për heqjen e vizave është plotësuar çdo kriter nga gjithsejtë 95 sa Bashkimi Evropian i ka vendosur Kosovës në udhërrëfyesin për liberalizim.
Kosova është vendi i vetëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor që nuk ka liberalizim vizash me BE-në.
Ish-ministrja e Integrimit Evropian, Vlora Çitaku, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 7 maj se është “e padrejtë” dhe “johumane” mënyra se si Bashkimi Evropian i trajton qytetarët e Kosovës.
Sipas saj, me mosliberalizimin e vizave për Kosovën, BE-ja është duke e humbur kredibilitetin e saj.
“Sinqerisht, nuk ka logjikë, nuk ka shpjegim. Është e vërtetë që ka qenë një momentum disa vite më parë, mirëpo ne e humbëm atë për shkak të zvarritjes së procesit të miratimit të demarkacionit [të kufirit] me Malin e Zi. Megjithatë, në fund, detyrimet, obligimet i kemi përmbushur”, ka thënë Çitaku për REL-in.
Edhe pse janë përmbushur të gjitha kriteret që nga viti 2016, vendimi për liberalizim nuk dihet se kur do të merret. Atë e kanë penguar vazhdimisht disa shtete anëtare të BE-së, si Franca dhe Holanda, të cilat kanë shprehur rezerva për lëvizjen e lirë të kosovarëve.
Në Evropë, vendet e vetme që nuk kërkojnë viza për qëndrim deri në 90 ditë në vit për kosovarët, janë: Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia dhe Turqia.
Kosova është, po ashtu, e vetmja në rajon që nuk ka aplikuar për anëtarësim në BE. Por, nga Qeveria thonë se aplikimi në këtë bllok pritet të bëhet në pjesën e dytë të vitit 2022.
“Synimi ynë është që në pjesën e dytë të vitit, bazuar në vlerësimet për punën dhe reformat tona, të kemi një momentum pozitiv dhe të arrihet konsensusi ndërmjet 27 vendeve anëtare [të BE-së], që pas prezantimit të aplikimit tonë, Këshilli i BE-së të ftojë Komisionin Evropian që të përgatisë pyetësorin për vlerësimin e gatishmërisë për shtet kandidat”, thuhet në deklaratën e Qeverisë së Kosovës dhënë Radios Evropa e Lirë.
Krahas këtyre përgatitjeve, Qeveria thotë se, brenda pak kohësh, do të aplikojë për anëtarësim edhe në Këshillin e Evropës – organizatën ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë – si dhe në Partneritetin për Paqe të NATO-s.
Për këtë të fundit, nga Qeveria thonë se kanë themeluar tashmë një grup punues.
Partneriteti për Paqe është një program i NATO-s, që synon krijimin e besimit midis shteteve anëtare të NATO-s dhe shteteve të tjera në Evropë.
Mazreku: Sigurimi i njohjeve nga shtetet e BE-së, çelësi i integrimit
Por, përkundër zotimeve të Qeverisë, profesori i së Drejtës Evropiane, Avni Mazreku, thotë se çdo proces integrues do të varet nga sigurimi i njohjeve nga pesë shtetet e BE-së, që nuk e njohin Kosovën.
Pa njohje paraprake nga Spanja, Greqia, Sllovakia, Rumania dhe Qiproja, Mazreku thotë se Kosova vështirë se mund të bëjë ndonjë përparim në proceset integruese.
“Përderisa ekzistojnë pesë shtete që s’e njohin Kosovën, atëherë dëshira e Kosovës për anëtarësim në BE mbetet vetëm ambicie imagjinare, për faktin se kështu funksionon BE-ja, sepse vendimmarrja për pranimin e shteteve duhet të jetë konsensuale”, thotë Mazreku për Radion Evropa e Lirë.
Nga shtetet mosnjohëse nuk ka ende ndonjë sinjal për ndryshim qëndrimi.
Mazreku parasheh që Kosova të ketë një rrugë të gjatë përpara vetes në këtë proces, por inkurajon dorëzimin e aplikimit për anëtarësim në BE.
Sipas tij, pushtimi rus i Ukrainës ka dhënë një momentum që mund të jetë i favorshëm për shtetet që synojnë të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian, megjithëse, shton ai, ky është një proces kompleks që kërkon “vullnet të madh brenda shteteve anëtare”.
Ku qëndrojnë vendet e tjera të Ballkanit?
Në një samit të mbajtur në vitin 2003 në Selanik të Greqisë, shtetet anëtare të BE-së kanë miratuar një deklaratë të përbashkët, ku kanë shprehur mbështetjen e tyre për perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor. “E ardhmja e Ballkanit është brenda BE-së”, kanë thënë ato.
Që atëherë, vetëm Kroacia, nga vendet e rajonit, është anëtarësuar në BE, në vitin 2013.
Negociatat për anëtarësim i kanë nisur Mali i Zi dhe Serbia. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria mbeten në pritje të nisjes së këtyre negociatave, ndërsa Kosova dhe Bosnje e Hercegovina kanë vetëm marrëveshje stabilizim asociimi me BE-në – që është hapi i parë drejt anëtarësimit në bllok.
Nëntë Maji apo Dita e Evropës shënon përvjetorin e asaj që njihet si Deklaratë e Schumanit.
E nënshkruar më 9 maj, 1950, kjo deklaratë ka propozuar krijimin e Komunitetit Evropian të Qymyrit dhe Çelikut – i pari nga një seri institucionesh evropiane që kanë formuar Bashkimin e sotëm Evropian.
Për shkak se ka vetëm karakter ceremonial, Dita e Evropës nuk është ditë pushimi në shtetet e BE-së, përveç në Luksemburg – dhe kjo në vetëm katër vjetët e fundit. Edhe në vendet e tjera të Ballkanit është po ashtu ditë pune./REL