-sidi education-spot_img
16.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Fjalimi i Putinit: Rëndësia e asaj që nuk u tha

Kryesoret

Në fund, ajo që ra në sy lidhur me fjalimin e presidentit rus, Vladimir Putin, gjatë ceremonive të Ditës së Fitores, ishte ajo që ai nuk e tha.

Ai nuk shpalli mobilizim të përgjithshëm për luftën e gjithanshme kundër Ukrainës.

Ai nuk shpalli fitore të luftës, e cila tani është në ditën e 75-të.

Ai nuk bëri asnjë kërcënim për përdorimin e arsenalit bërthamor të Rusisë, diçka që ai dhe zyrtarët e tjerë e kanë bërë vazhdimisht gjatë javëve të fundit.

Ai përmendi nazistët, por jo “denazifikimin”, që ishte një prej qëllimeve të deklaruara të Kremlinit për luftën në Ukrainë.

Ai nuk bëri as një thirrje të përgjithshme për t’iu bashkuar ushtrisë, për ta bashkuar popullsinë ruse për sakrifica të mëdha në, ose për shkak të luftës.

Për vëzhguesit e afërt të Presidencës së Putinit, fjalimi i tij i 9 Majit pritej të ishte një prej fjalimeve më të rëndësishme në 22 vjetët e tij si udhëheqës i Rusisë – një paralajmërim për më shumë luftë, ose ndoshta paqe, e cila do të vinte.

Nëse do të kishte këso deklaratash të mëdha, Dita e Fitores – një festë e shenjtë për miliona persona në Rusi dhe që vjen në kohën kur Putini është në qendër të vëmendjes globale – do të ishte data e mundshme për diçka të tillë.

Sikurse në fjalimet e kaluara në Ditën e Fitores, Putin nderoi miliona qytetarë sovjetikë të cilët vdiqën duke luftuar kundër Gjermanisë Naziste. Ashtu sikurse në disa fjalime të mëhershme, por jo në të gjitha, ai përdori këtë fjalim për të sulmuar Shtetet e Bashkuara.

Përderisa Kremlini po zhvillon luftën më të madhe tokësore në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, shumë vëzhgues kërkuan që të analizonin detajet se si Putini do ta paraqiste luftën në Ukrainë, e cila sipas të gjitha llogarive – me përjashtim të mendimit të tij dhe disa të tjerëve – nuk po shkon mirë për Rusinë.

Në fund, fjalimi 12-minutësh ofroi pak ose aspak qartësi.

Po ashtu, ky fjalim nuk ofroi asnjë ndryshim të politikës transformuese në krizën më të madhe të politikës së jashtme, nën udhëheqjen e Putinit.

“Reagimi im i parë është se ai po bën planifikime afatgjate, por po pret që të kalojë nëpër të njëjtat probleme sikurse pas aneksimit të Krimesë, por duke marrë territore në jug të Ukrainës”, tha Vladislav Zubok, një ekspert rus i Luftës së Ftohtë, i cili njëherësh është profesor në Shkollën Ekonomike të Londrës.

Ai iu referua aneksimit rus të Krimesë më 2014 dhe marrjes nën kontroll të disa pjesëve në jug të Ukrainës, që prej se Rusia nisi pushtimin e këtij shteti fqinj më 24 shkurt.

“Edhe një opsion është i mundshëm: me perden e hekurt përreth Rusisë që është ndërtuar nga sanksionet e fuqishme perëndimore, Putin ka siguruar regjimin e tij dhe ai do të jetë i kënaqur me të për vite me radhë”, tha Zubok.

“Në fund të fundit, ai është pothuajse 70 vjeç. Megjithatë, ky opsion presupozon një lider krejtësisht të ftohtë dhe cinik, retorika e të cilit për sakrificën dhe fitoren është vetëm një ‘blla-blla’ e madhe”, shtoi ai.

Në paradën vjetore u përfshi pjesëmarrja e zakonshme e qindra ushtarëve, marinsave dhe personelit tjetër ushtarak, të cilët marshuan pranë Kremlinit, teksa dëgjoheshin zhurmat e tankeve, automjeteve të blinduara dhe kamionëve që bartnin raketat balistike ndërkontinentale, që po ashtu parakaluan.

Çuditërisht, këtë vit nuk kishte paradë ajrore të bombarduesve, avionëve luftarakë dhe helikopterëve, të cilët në vitet e mëparshme fluturonin mbi qiellin e Moskës, dhe që për shumë persona paraqisnin pikën kyçe të paradës. Mungesa e një parade të tillë jo domosdo është tregues i ndonjë ngjarjeje të madhe, edhe pse anulimi i paradës ajrore ishte njoftuar nga zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, disa minuta para se ceremonitë të fillonin. Ai tha se nuk do të ketë paradë ajrore për shkak të kushteve atmosferike.

Fjalimi i Putinit kishte elemente të rëndësishme të mitologjizimit të Luftës së Dytë Botërore, kujtimet e së cilës janë shtrembëruar, siç argumentojnë disa vëzhgues rusë, apo siç e cilëson kritikja e Kremlinit, Yulia Latynina, “Kult të Fitores”.

“Ky kult i luftës nuk ka asnjë lidhje me historinë e vërtetë të Luftës së Dytë Botërore”, tha ajo. “Është një kult i totalitarizmit të ri rus, ideologjia e të cilit është shumë e thjeshtë”.

Afër 27 milionë qytetarë sovjetikë vdiqën gjatë luftës katërvjeçare me Gjermaninë Naziste. Putin nderoi qytetarët e vrarë në luftë.

“Dita e Fitores është një ditë e rëndësishme për të gjithë ne. Nuk ka familje në Rusi që nuk është prekur nga Lufta e Madhe Patriotike. Kujtimi për të nuk do të shuhet kurrë”, tha ai gjatë fjalimit të tij.

Për dallim nga kjo, humbjet e Rusisë në luftën në Ukrainë janë mbajtur fshehur nga publiku. Njëzeteshtatë marsi ishte hera e fundit që Ministria e Mbrojtjes publikoi të dhënat zyrtare për vdekjen e ushtarëve dhe numri i paraqitur – 1,351 ushtarë të vdekur – është vetëm një pjesë e vogël e asaj që zyrtarët ukrainas dhe ata perëndimorë thonë se është numri real i humbjeve, që vlerësohet se është më shumë se 15,000 ushtarë të vrarë rusë.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit