Gati 24 orë nga aksidenti i rëndë një ditë më parë në Rrugën e Kavajës në Tiranë, mësohet se foshnja 3-muajshe ka dalë nga spitali.
Ndërkohë, bëhet e ditur se gjendja shëndetësore e prindërve, Vilma Konomi, 43-vjeçe, Arion Konomit, 48-vjeç, paraqitet e qëndrueshme, teksa kanë dalë nga trajtimi intensiv.
Mësohet se prindërit kanë dëmtime të shumta në pjesë të ndryshme të trupit, ndërsa janë zhvendosur në pavion ku po trajtohen për pilotraumë.
Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e djeshme kur çifti me foshnjën po kalonin vijat e bardha. Ata u përplasën nga një automjet tip Benz, i cili po lëvizte me shpejtësi të lartë dhe kaloi semaforin me ngjyrë të kuqe. Drejtuesi i makinës, 39-vjeçari Ajas Sulejmani, u largua me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, ndërsa u vu në pranga rreth 3 orë nga aksidenti, teksa ishte në një spital privat.