Shqipëria po bëhet gati për të legalizuar kultivimin e kanabisit mjekësor të kontrolluar me ligj nga shteti. Por përballë kemi një rast dështimi të freskët, të Maqedonisë. Vendi fqinj e legalizoi këtë industri, por dështoi.
Cilat janë arsyet? Këtë e shpjegoi sot Ministri i Ekonomisë së Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi gjatë vizitës që po zhvillon në Tiranë. Ai tha se janë të gatshëm të ndajnë eksperiencën e tyre me Shqipërinë.
“Si ministër i Maqedonisë së Veriut kemi eksperiencën e duhur sa i përket legalizimit të kanabisit. Nuk ka dhënë rezultatet e duhura për shkak të ligjit që kemi për momentin, ku lejohet vetëm prodhimi e eksportimi i vajit të kanabisit.
Marrë parasysh që nuk e kemi teknologjinë e duhur por as tregun e duhur për momentin nga ana e investitorëve që janë duke bërë investime të tilla, pothuaj nuk ekziston eksporti.
Me siguri duhet të ndërhyhet në ligjet momentale që ekzistojnë në Maqedoninë e Veriut për ta lehtësuar tregtinë. Sa i përket eksperiencës sonë, jemi të gatshëm ta ndajmë me Shqipërinë, por për momentin në Maqedoninë e Veriut lejohet vetëm eksporti i vajit të kanabisit e jo i lules së kanabisit” tha ai.