Në kuadër të Ditës së Evropës Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme në Shqipëri, Olta Xhaçka, mori pjesë në panelin e nivelit të lartë: Lufta e Rusisë në Ukraine dhe reagimi i përbashkët i BE-së dhe Shqipërisë.
Në fjalën e saj, ministrja vuri theksin tek perspektiva evropiane e vendit dhe rëndësia e kësaj dite, si një “ditë e rëndësishme në kalendarin e shqiptarëve”.
“Më 9 maj ne nuk kremtojmë thjesht Evropën, por mbi të gjitha ëndrrën tonë për t’u bërë pjesë e Evropës dhe gjithçka kjo ëndërr e mbështetur nga Bashkimi Evropian ka bërë për transformimin e rajonit tonë”, vijoi ministrja.
Xhaçka nënvizoi rolin vendimtar të BE-së në rajonin e Ballkanit gjatë viteve 1990, duke e transformuar nga një situatë e ngjashme me “Sirinë e luftës civile apo të Ukrainës sot nën agresionin rus” në “progres drejt ndërtimit të shteteve funksionale, moderne e demokratike, drejt garantimit të paqes, stabilitetit e sigurisë dhe bashkëpunimit rajonal”.
Për Xhaçkën, populli shqiptar, janë populli që ka besuar më shumë dhe ka punuar më shumë për ëndrrën evropiane.
“Mjafton të shohësh se çfarë roli kanë luajtur shqiptarët si një faktor stabiliteti në rajon dhe si një garantues i orientimit euro-atlantik të vendeve të rajonit, për ta kuptuar që asnjë popull tjetër nuk është aq i përkushtuar sa shqiptarët ndaj perspektivës evropiane”.