-sidi education-spot_img
28.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Kërkohet një President, Alibeaj “nxehet” me Spiropalin: Kush vendosi kushte?

Kryesoret

Sot nisi zyrtarisht procesi i zgjedhjes së Presidentit të ri të vendit. Në konferencën e kryetarëve nuk mungoi debati, kur opozita i kërkoi PS-së që të pranojë draftin e saj dhe të mos e përdorë për “buzëkuq”. Elisa Spiropali tha se nuk pranojnë kushte nga opozita.

“Nuk dua të nxis debat, por e dëgjoj që përsëriten zarfet, propozimet, konsultimet a thua se këto janë mëkat, apo të paligjshme. Këto duhet të bëjë cdo grup për të marrë më të mirën e kësaj shoqërie. Ne nuk kemi vendosur asnjë kusht për opozitën apo grupet parlamentare. Ne jemi të hapur. Kemi disa kushte dhe kritere brenda grupeve tona.

Kemi profilin referuar barrës së përgjegjësisë dhe pushtetit të madh që na ka dhënë vota, ku ka kontribuar edhe opozita, sepse ka ikur nga zgjedhjet. Duam një president të republikës, jo një që t’i shërbejë PS-së.

Duam të marrim nga ju kontribute, emrat më të mirë, por mos na vihen kushte. Nuk kuptohen deklaratat nga komiteti i lirisë dhe çlirimit të PD-së as grupi që i kërkojnë PS-së që të heqë dorë. Ta dëgjojmë njëri tjetrin pa kushte” kërkoi ajo.

Por kryetari i grupit të PD-së, Enkelejd Alibeaj reagoi duke iu kundërvënë Spiropalit. Ai tha se opozita nuk ka vendosur kushte duke sqaruar pozicionin e tij.

“Kush u tha ju, se ju kanë vendosur kushte? Askush. E kam bërë të qartë këtu në këtë sallë, një javë më parë, parlamenti duhet të zgjedhë presidentin e shqiptarëve. E mira do të ishte ta zgjidhnin vetë shqiptarët, por fatkeqësisht nuk e kemi këtë mundësi. Qëndrimi ynë është i tillë; të flasim përpara shqiptarëve. Është i drejtë konstatimi i zonjës Açka” tha ai.

Gjekmarkaj tha se opozita ka detyrimin moral t’i japë një kandidat alternativ vendit për president.

“Unë nuk pretendoj shumë se di të bëj politikë, por pretendoj paksa që di ta lexoj atë nga një sërë profesionesh që vërtiten rreth politikës. Në optikën time ky është procesi më i çuditshëm i zgjedhjes së Presidentit. Është një proces për të cilin flasim të gjithë dhe në të njëjtën kohë nuk ka proces.

Unë besoj shumë që Procesi është në kokën e një individi, i cili prej natyrës për t’u argëtuar mendon se mund të argëtohet me shpenzimet e shoqërisë, të opozitës dhe të tjerëve, por është e drejta e gjithsecilit të bëjë zgjedhjet e veta. Po e filloj fjalën time nga ajo që z. Balla tha dje para mediave. A ka të drejtë maxhoranca të propozojë Presidentin e Republikës? Sigurisht që ka.

Çdo maxhorancë do ta kishte këtë të drejtë për ta propozuar sepse ka numrat dhe përgjegjësinë. Por kjo maxhorancë ka disa probleme, ka probleme me çështjen e zgjedhjeve, në raportet e DASH dhe OSBE/ODIHR dhe ka probleme me disa mandate, ku një pjesë e vogël, shpresoj të mos jenë shumë ka përfunduar dhe në qeli. Ana tjetër është mbingarkesa që kjo maxhorancë ka në pushtet. Ka totalitetin e institucioneve të vendit.

Shefi i maxhorancës, kryeministri Rama ka folur për një mundësi bashkëpunimi me opozitën për t’u përfshirë të gjithë në një proces. Nuk e kam kuptuar deri ku shkon oferta e kryeministrit për t’u përfshirë opozita në procesin e zgjedhjes së presidentit, sa kryeministri e dëshiron opozitën pjesë të procesit.

Nga ana tjetër duke lexuar aktet brenda grupit tuaj parlamentar që janë publike, ai përcaktoi një komision për të caktuar identikitin e Presidentit të Republikës, deputetët bënë propozime me zarfa dhe me e-maile. Në fund iu tha që nuk do jetë nga politika, nga grupi parlamentar i PS-së. Në një farë mënyre kjo është fyerje dhe për grupin parlamentar të PS-së sepse në instancë të fundit unë dua një president politik.

Edhe në qoftë se ju merrni përgjegjësinë për ta zgjedhur të vetëm, së paku zgjidhni një personalitet politik të PS-së sepse loja me figurina që vijnë nga jashtë për të bërë shashka mediatike nuk i shërbejnë as vendit, as institucioneve dhe nuk i bëjnë nder as institucionit të Kreut të Shtetit. Për sa i përket rolit të opozitës në këtë histori, unë kam pasur qëndrimet e mia brenda opozitës.

Jam deklaruar që opozita ka detyrimin përballë shqiptarëve të nxjerrë emra për President. E djathta shqiptare ka emra dinjitozë sepse pas çdo emri fshihen dhe kritere dhe cilësi. Pavarësisht se qeveria i merr apo s’i merr parasysh. Opozita ka detyrimin moral t’i japë një kandidat alternativ vendit për president. Kjo përmblidhet në emra konkretë, burra dhe gra që i kanë shërbyer Shqipërisë këto 30 vite.

Nëse ju jeni të sinqertë në ato që keni deklaruar që opozita duhet të ketë rol në këtë proces, ose do të mirëprisnit emra nga opozita, ne do ishim të gatshëm ta shihnim vetveten dhe të rindërtonim një strategji të vërtetë komunikimi me ju duke propozuar dhe emra. Por nëse këtë e keni gjethe fiku na e kurseni dhe zgjidheni vetë”, tha Gjekmarkaj.

Sipas Kushtetutës, procedura për zgjedhjen e presidentit duhet të nisë 60 ditë përpara mbarimit të mandatit presidencial, ndërsa raundi i parë i votimit zhvillohet jo më shumë se 7 ditë nga fillimi i saj. Gjithsej zhvillohen pesë raunde votimi, ku tre të parat kërkojnë një shumicë të cilësuar prej 84 votash për zgjedhjen e presidentit, ndërsa për dy raundet e fundit nevojitet një shumicë e thjeshtë, 71 vota.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit