Në datë 16 maj, ora 17:00 do të zhvillohet raundi i parë për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit. Deri në datë 15 maj ora 16:00 mund të depozitohen kandidaturat në Kryesinë e Kuvendit me firmat e 20 deputetëve. Më pas emri do të kalojë në komisionin e Ligjeve për procedurat për t’ja dorëzuar Kuvendit në seancë plenare.
Vendimi u mor sot në Konferencën e Kryetarëve që ishte nën debatin e opozitës, që akuzoi shumicën se po tenton ta përdorë PD-në si “buzëkuq”, pasi e ka vendosur emrin. Grida Duma i kërkoi shumicës që të tërhiqet dhe të hapë krahun për t’ja lënë propozimin në raundin e parë të kandidatit për President opozitës. Por PS e cilësoi këtë pazar dhe theksoi se nuk do të lëshojë. Data u vendos, tani priten emrat.
Sipas Kushtetutës, procedura për zgjedhjen e presidentit duhet të nisë 60 ditë përpara mbarimit të mandatit presidencial, ndërsa raundi i parë i votimit zhvillohet jo më shumë se 7 ditë nga fillimi i saj.
Gjithsej zhvillohen pesë raunde votimi, ku tre të parat kërkojnë një shumicë të cilësuar prej 84 votash për zgjedhjen e presidentit, ndërsa për dy raundet e fundit nevojitet një shumicë e thjeshtë, 71 vota.