Lufta nuk e mposhti kurrë shpirtin e tij, por mosha po.
Leonid Kravchuk, Presidenti i parë i Ukrainës, është ndarë nga jeta në moshën 88-vjeçare.
Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Bashkisë së Kievit, Vitaly Klitschko, në kanalin e tij Telegram.
Kravchuk, i cili ka qenë edhe kryetar i Parlamentit ukrainas, u bë president i vendit për herë të parë në dhjetor 1991, pasi Ukraina u shkëput nga ish-Bashkimi Sovjetik.
Postin, ai e mbajti deri në korrik 1994.
Më pas, fushata e dytë presidenciale e Kravchuk përfundoi në humbje, pasi u mund nga personi, i cili shërbeu si kryeministër në mandatin e tij, Leonid Kuchma.
Ndër aktet më të mëdha të Kravchuk, ka qenë nënshkrimi që ai bëri në vitin 1992 në Lisbonë, kur Ukraina hoqi dorë nga armët bërthamore.