Presidenti Ilir Meta takoi sot zëvendëskryetarin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, njëkohësisht Përfaqësues i Posaçëm i Asamblesë për Evropën Juglindore, Azay Guliyev dhe kryetarin e Pranisë së OSBE-së në Shqipëri, Vincenzo del Monaco. Kreu i shtetit shprehet se folën për luftën në Ukrainë, rrezikun e Ballkanit, por edhe integrimin e Shqipërisë.
“Në fokus të diskutimeve ishin implikimet politiko-ekonomike të agresionit Rus ndaj Ukrainës për vendet e Ballkanit Perëndimor. Theksova se sfidë imediate e sigurisë për rajonin është zbatimi i agjendës destabilizuese të aktorëve të tretë që minon bashkëjetesën dhe demokracinë përmes faktorëve proxy.
Në kontekstin e zhvillimeve të fundit është me rëndësi jetike avancimi i dialogut Serbi-Kosovë, bashkëpunimi gjithëpërfshirës rajonal dhe nisja sa më parë e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Shpreha besimin e plotë në eksperiencën dhe kapacitetin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së për të kontribuar pozitivisht në zhvillimet demokratike dhe në forcimin e sigurisë e stabilitetit në të gjithë hapësirën e OSBE-së, e në mënyrë të veçantë në rajonin tonë” tha ai.