Gjykata e Lartë ka vendosur sot që të pranojë kërkesën e gjyqtarëve dhe prokurorëve duke rrëzuar vendimin e qeverisë që u hoqi pasaportat e shërbimit.
Prej janarit 2020 gjyqtarët nuk mund të udhëtojnë jashtë vendit me pasaporta shërbimi si pasojë e një vendimi të qeverisë të datës 12 qershor 2019.
Vendimi shtrin efektet tek gjyqtarët e shkallës së parë dhe të Apelit.
Vendimi i qeverisë u padit nga Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Shqipërisë që kërkonte shfuqizimin e vendimit që u hiqte të drejtën togave të zeza për t’u pajisur me pasaporta shërbimi pas datës 31 dhjetor 2019.
Palë e paditur ishte Këshilli i Ministrave që mbrojti vendimin. Në përfundim të shqyrtimit të çështjes Apeli Administrativ rrëzoi padinë, por sot Gjykata e Lartë u dha të drejtë.