Ministri i Jashtëm i Finlandës, Pekka Haavisto, ka deklaruar se po planifikon të takojë homologun e tij turk, Mevlüt Çavuşoğlu, në takimin e ministrave të Jashtëm të NATO-s në Berlin.
Sipas Haavistos, çështjet duhet të ndërmerren hap pas hapi. Kjo pasi Qeveria turke ka shprehur pikëpamje pozitive për Finlandën në të kaluarën.
Deklarata e tij erdhi pasi, presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, tha se nuk e sheh aplikimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO si një “mendësi pozitive”.
“Ne nuk e shohim pozitivisht anëtarësimin e tyre në NATO”.
Gjatë një prononcimi për mediat, Erdogan deklaroi se vendet skandinave janë bërë një strehë e sigurt për terrorizmin.
“Suedia është bërë një shtëpi për PKK-në dhe grupet e tjera terroriste”.
“Ata, madje, janë anëtarë të parlamentit në disa vende” shtoi ai.
Presidenti turk përmendi shqetësime për ngjarjet në të dy vendet e mbështetësve të militantëve kurdë separatistë që kanë luftuar për autonomi në juglindje të Turqisë për dekada.
Çdo zgjerim i NATO-s kërkon miratimin unanim të anëtarëve të aleancës.
Turqia është anëtare e NATO-s që nga viti 1952.