Agjencia amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar – USAID dhe Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Fëmijë – UNICEF, i dhuruan Kosovës të premten disa pajisje për ruajtjen e duhur dhe transportin e sigurt të vaksinave kundër COVID-19.
Sipas një njoftimi nga zyra e USAID-it, dhurimi i këtyre pajisjeve shënon fazën e parë të zëvendësimit të zinxhirit të gjithëmbarshëm të ftohtë të vaksinave në Kosovë. “Kjo përpjekje e mbështetur nga ana e USAID-it do të rrisë kapacitetet e ruajtjes së vaksinave në të gjitha nivelet, nga magazina qendrore e vaksinave pranë Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik deri te qendrat e mjekësisë familjare në të gjitha 38 komunat në Kosovë”, thuhet në njoftim.
Drejtoresha e misionit të USAID-it, Zeinah Salahi, tha gjatë dorëzimit të këtij donacioni në Prishtinë se pajisjet në fakt nuk do të ndihmojnë vetëm programin e vaksinimit kundër COVID-19ës.
“Por cilindo nga programet e imunizimit në Kosovë që ka nevojë për magazinim të ftohtë të vaksinave, posaçërisht imunizimet rutinore të fëmijëve, një shërbim thelbësor ky i shëndetit publik”, tha zonja Salahi.
Nga ky donacion institucionet shëndetësore në Kosovë përveç pesë dhomave të reja të ftohjes dhe 270 frigoriferëve e ngrirësve, përftojnë edhe trajnime në përdorimin dhe mirëmbajtjen e pajisjeve të zinxhirit të ftohtë dhe zhvillimin e një sistemi të digjitalizuar për monitorim dhe menaxhim më të mirë të rezervave të vaksinave.
Në Kosovë prej kur ka filluar vaksinimi kundër COVID-19ës e deri tash janë dhënë një milion e 827 mijë e 497 doza të vaksinës. Tash për tash numri i përgjithshëm i rasteve aktive me COVID-19 është 352, ndërsa gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 22 raste të reja.
Që nga fillimi i përhapjes së COVID-19 në Kosovë, në mars të vitit 2020 e deri tani, Shtetet e Bashkuara kanë dhuruar mbi 1 milion doza të vaksinave Pfizer kundër COVID-19 për Kosovën. Krahas vaksinave, SHBA-ja ka dhuruar në Kosovë edhe pako të shumta higjienike dhe pajisje laboratorike.
Gjatë 20 viteve të kaluara Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë investuar mbi 10 milionë dollarë amerikan ndihma në fushën e shëndetësisë për Kosovën./VOA