Bilanci për Rusinë mund të jetë shumë më i mbrapshtë se sa ajo mendonte përpara luftës në Ukrainë, pasi raportet e fundit të inteligjencës britanike, sugjestionojnë se Moska ka humbur rreth 30% të forcave ushtarake, të cilat i ka dërguar në territorin fqinj.
Gjatë takimit të ministerialit të NATO-s nga ana tjetër, u theksua – mbi të gjitha prej vendeve të mëdha – rëndësia e mbështetjes së Qeverisë në Kiev.
“Putini duhet të dështojë në Ukrainë”, deklaroi zëfortë kryediplomatja britanike, Liz Truss. “Rusia duhet të sprapset dhe një agresion i tillë as që duhet menduar më nga asnjë vend”.
Gjithashtu, ajo e cilësoi si parësore faktin se siguria e Ukrainës, duhet të vijë pikë së pari nga vetë vendi. Ndërsa, aleatët, duhet të kenë rol mbështetës me dhurimin e pajisjeve të ndryshme të luftës dhe elementëve mbrojtës.
Një dështim të planit rus e parashtroi edhe zëvendës-sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mircea Geoana, i cili theksoi se ukrainasit tashmë janë në një pozicion, ku mund të mposhtin forcat ruse.
“Ne e dimë se nëpërmjet guximit të tyre dhe mbështetjes tonë ushtarake, ata mund ta mposhtin Rusinë”, i tha ai gazetarëve pas takimit të ministrave të Jashtëm të aleancës.
Ndërsa, mbi avancimin e Moskës në fushëbetejë, nuk priten aksione të mëdha në 30 ditët e ardhshme. Kjo, duke parë edhe fuqinë shtytëse të ushtrisë së Kremlinit, e cila deri tani, nuk ka qenë në parametrat që mendohej.