Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka dhënë një intervistë për “La Republicca”, ku ka folur në lidhje me organizimin e finales së madhe dhe historike të UEFA Conference League, që do të zhvillohet në Tiranë më 25 maj, në stadiumin “Air Albania”.
Për Dukën, kjo finale vjen në Shqipëri falë një punë disa vjeçare, ndërsa shprehet se i gjithë procesi i përgatitjeve po shkon mjaft mirë. Presidenti Duka flet edhe për stadiumin “Air Albania” dhe kapacitetin e tij si edhe sigurinë për këtë ndeshje të rëndësishme.
– President, për herë të parë në Shqipëri do të organizohet një finale e një kompeticioni të UEFA-s. Çfarë ndjesish keni?
– Është krenari e madhe për ne të sillnim në vendin tonë finalen e parë historike të UEFA Conference League. Kemi punuar kaq shumë në gjithë këto vite për ta bërë Tiranën, të paktën për një ditë, qendrën e futbollit europian. Jemi krenarë për këtë arritje, mungojnë edhe pak ditë nga finalja, por gjithçka po shkon shumë mirë në drejtim të përgatitjeve. Jemi gati!
– Nuk e di nëse keni lexuar polemikat në Itali dhe në Holandë në lidhje me organizimin e këtij eventi.
– Janë të gjitha polemika të panevojshme. Si thuhet në italisht? Dashakeqëse më saktë. Janë burim i paragjykimeve që ka ndaj shqiptarëve. Ne jemi të aftë të organizojmë një event kaq të rëndësishëm dhe do ta dëshmojmë këtë më së miri.
– Një stadium me 21 mijë vende për spektatorët, a nuk është i vogël për një finale europiane?
– Arena Kombëtare është një xhevahir, është impianti më i mirë në vendin tonë dhe i përmbush të gjitha kriteret e UEFA-s. Nëse nuk do të ishte kështu nuk do të na besonin pritjen e një finaleje. Ndoshta nuk pritej një kërkesë kaq e madhe për bileta nga ana e dy finalisteve.
– Pak ditë më parë klubi i Feynoord-it ka publikuar një komunikatë për shtyp me nota të ashpra për mënyrën e shitjes së biletave.
– Nuk e kuptoj se për çfarë ankohet klubi holandez. Me një kapacitet prej 21 mijë vendesh Roma dhe Feynoord kanë pasur në dispozicion nga 4000 bileta secila, thuajse 20% të kapacitetit total. Pjesa tjetër është shitur për publikun e përgjithshëm sipas rregulloreve të UEFA-s.
– A jeni i ndërgjegjshëm për faktin se në Tiranë do të mbërrijë një numër shumë i madh tifozësh të cilët nuk kanë bileta?
– Kjo ndodh gjithmonë në çdo event madhor futbollistik. A mendoni se në Paris për finalen e Champions nuk do të shkojnë tifozë të Real Madrid dhe Liverpool pa bileta? Apo në Sevilje për finalen e Europa League? Dua të them diçka, për ata që nuk do të mund të hyjnë në stadium do të jetë një okazion për të përjetuar atmosferën festive të një finaleje, në një vend që mbase shumë prej tyre nuk e kanë vizituar kurrë më parë.
– A mund të ketë probleme lidhur me sigurinë?
– Absolutisht jo. Jemi të gatshëm të presim të gjithë ata që duan të vijnë në Tiranë, falë një grupi pune organizativ të ngritur posaçërisht për këtë event. Në Tiranë do të ketë dy “fan zone” të dedikuara për tifozët e Romës dhe Feynoord-it. Për më tepër aeroporti i kryeqytetit dhe porti i Durrësit do të jenë dy pikat e para hyrëse me sisteme kontrolli e mbikëqyrjeje për të shmangur kontaktet mes dy tifozerive.
– Është një finale që duket se paraqet dhe një mundësi shumë të mirë për biznesin turistik.
– Ky nuk është një argument që hyn në kompetencat e mia. E di që ka pritshmëri të mëdha, por po flasim për një finale europiane. Megjithatë, mund t’ju them që nuk është vetëm Tirana, por edhe në Durrës, që është vetëm 30 minuta larg kryeqytetit, më thonë se do të mblidhen shumë tifozë të Romës.
– Meqë jemi te Roma dhe Feynoord, ju për kë do të bëni tifo?
– Nga fillimi i kompeticionit kam shpresuar që në finale të vinte Roma. Ne jemi dy popuj shumë të afërt, më lidhin shumë gjëra me Italinë. Më 25 maj do të bëj tifo për Romën.