Përplasje brenda opozitës për Presidentin e ri. Kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu ka replikuar me kryetarin e grupit të PD-së, Enkelejd Alibeaj, i cili negociatat e viteve të pluralizmit për zgjidhjen e krizave i cilësoi si histori skutash dhe nuk pranoi që t’i bindej Edi Ramës për të propozuar emra.
“Cfarë të çojmë emra, që të tallen këta? Jo. Këta duhet të japin një sinjal se nëse do të vazhdohet me idenë, sikur tha i pari i këtyre, që të vijnë emra, ne nuk jemi këtu për të plotësuar epshet e tij, kurrsesi jo. Këtë duhet t’ia kursejmë vetes dhe shqiptarëve” tha ai.
Fatmir Mediu ndërhyri duke i “tërhequr” veshin Enkelejd Alibeajt. “Zoti Alibeaj kam merak shkeljen e parimeve. E dyta do u them ju, që ajo PD dhe opozita ka një histori 30 vjeçare, që nuk mund të thuhet e skutave dhe proceset për zgjidhjen e krizave, dhe njerëzit që kanë marrë pjesë për t’i zgjidhur. Ka pasur momente të mira dhe këqija.
Nëse nuk dimë historinë e shtëpisë sonë nuk ndërtojmë shtëpinë e përbashkët. Mendoj se është mirë të mos bëjmë përgjithësime” tha ai.