Gjykata e Apelit kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit nuk ka marrë sot vendim për Lefter Kokën, i cili kishte kërkuar një masë më të butë sigurie. Vendimi është shtyrë për nesër në orën 10:00. Avokatët u shprehën besimplotë se gjatë ditës së nesërme apeli do të japë një masë më të butë ndaj Kokës për ta liruar nga qelia.
Avokatët e tij u shprehën për mediat se ish-ministrit nuk i është ofruar statusi i bashkëpunëtorit të drejtësisë, sa kohë që ai nuk ka pranuar fajin. Gjithashtu ata thanë se Koka ishte i hapur për bashkëpunim, por ka të tjerë persona që mund të japin informacione të vlefshme për prokurorët.
“Nuk ka pse të pendohet. Bashkëpunëtori është një njeri që tregon për veten e tij dhe të tjerët. Në rastin konkret Koka s’ka çfarë të bashkëpunojë. Të jesh i hapur me hetimin për të dhënë shpjegime nuk do të thotë se je bashkëpunëtor me drejtësinë. SPAK i ka të gjitha mjetet që të kërkojë dhe të gjejë bashkëpunëtorë por jo te Lefter Koka, te persona të terë që janë aty. Ata mund të sigurojnë cigare apo veshjet e stinës”, tha ai.
Ndaj ish-ministrit të mjedisit rëndojnë tre akuza, ajo e “Korrupsionit”, “shpërdorimit të detyrës” dhe ajo e pastrimit të parave”. Lefter Koka u arrestua më 14 dhjetor me urdhër të SPAK për çështjen e inceneratorit të Elbasanit me dyshimin se ka përfituar 3.7 mln euro. SPAK pretendon se, Koka ka përfituar përmes ryshfetit edhe 1.2 milionë euro për ndërtimin e inceneratorit të Fierit.