-sidi education-spot_img
10.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Një libër i pazakontë, i veçantë, tronditës! Mbi romanin “Eskadronët e vdekjes”

Kryesoret

Nga Bedri Islami

Kur isha për herë të parë pas luftës në Kosovë mund të mendoja se jeta kishte ndalur dhe u kthyem në kufijtë e Fillesës së botës. Ajo që kishte ndodhur, kurrë mos u harroftë, ishte si një makth nga i cili nuk zgjohesha dot.

Kishin filluar të lindnin legjendat dhe mitet e para. Një popull që, pas një lufte, nuk krijon mitet e legjendat e tij, ai është i verbër.

Nëse do të më kërkonin të sillja një fjali të vetme në përcaktimin e Kosovës, atëherë do të shkruaja:

Kosova është akt besimi!

E, megjithatë, i çuditshëm është fati i Kosovës. Breznitë, që ripërtërihen në viset e lashta të stërgjyshërve të tyre, do e kenë të vështirë të besojnë për çfarë ka ndodhur gjatë luftës çlirimtare, nëse mbi të vërtetat do të bjerë harresa.

Për një njeri që ka qenë pjesë e luftës, më saktë, pjesë e lëvizjes çlirimtare në vite e dekada, çdo çast i ekzistencës dhe mbiekzistencës, çdo veprim, çdo gjë që ka ndodhur, e vërteta e saj, duhet të jetë e pranishme, e ngulitur në kujtesën njerëzore, e vetëdijshme dhe e qenësishme, si një mënyrë për të rrokur aktualitetin dhe përshfaqur sakrificën. Aq më tepër tani, kur përroi psiqik i mohimit të luftës dhe i tjetërsimit të saj ka krijuar ishujt e tij, që synojnë përmbysjen.

Na duhen libra që të dëshmojnë të vërtetën.

Njëri prej tyre, ndoshta më i rëndësishmi deri më tani dhe më tronditësi në të njëjtën kohë, “Eskadronët e vdekjes”, vjen nga një autor i njohur, shumë i njohur, figurë politike dhe shoqërore e pakontenstueshme, politolog dhe shkrimtar i klasit të parë, studjues i pasionuar dhe polemist i pazakontë, Bardhyl Mahmuti.

“Eskadronët e vdekjes” mund të jetë ndoshta libri ku mbi 95 përqind e faqeve të tij mbështeten në ngjarje të vërteta, ku njerëzit janë të njohur apo përsonifikimi i shumë prej tyre njëherësh, është libër për njerëz dhe bëma reale, në të shumtën e rasteve tragjike, është, si të thuash, kronika e përgjakshme e luftës së Kosovës, çmimi i paguar për lirinë, dhe më tej,  libër i drejtëpërdrejtë për të njohur tragjedinë që ka ndodhur në fundin e shekullit të shkuar, në të cilin , krimi dhe e vërteta historike nuk mund të bashkëjetojnë.

Përse është i rëndësishëm ky libër?

Autori

Nuk e mbaj mend se ku e kam takuar për herë të parë autorin e këtij libri, Bardhyl Mahmuti. Janë më shumë se dy dekada e gjysmë në mes, të mjaftueshme për të njohur një njeri, ashtu si mund të njohësh veten.

Nuk kishte shumë vite që ishte detyruar të largohej nga Kosova, pas burgut të gjatë që kishte bërë. Pjesë e trupës drejtuese të Lëvizjes Çlirimtare në Kosovë, njohje e herëshme dhe bashkëpunëtor i ngushtë i figurave mitike të saj, si Afrim Zhitia, Fahri Faslia, Rexhep Mala, Fehmi Lladrovci, Nuhi Berisha, më tej, Ali Ahmeti, Ramadan Avdiu, Halil Selimi, Bilall Sherifi, Jashar Salihu, Xhavit Hoxha….një biografi e tërë e asaj plejade që, si thonte Demaçi, “ kanë marrë përsipër me ia kthye pushkën Serbisë”.

Vitet na kanë njohur nga afër me njëri tjetrin. Thuajse gjithnjë kemi qenë në një mendje për rrugët që duheshin ndjekur, rrethanat, njerëzit, ashtu si kemi pasur edhe gjëra të ndryshme. Bardhyli do të jetë përfaqësuesi i parë politik i UÇK-së në perëndim dhe drejtues i grupit, duke bërë një gjë të shkëlqyer, njohjen e UÇK-së si faktor politik dhe kjo do të ishte edhe njohja e parë zyrtare e Kosovës së ardhshme. Takimet me diplomatë të lartë perëndimorë janë ata hapat që përgatitën pjesë të mëvetësisë së ardhshme.

Të dy sëbashku jemi pjesë e Lëvizjes Popullore të Kosovës dhe, në vitet e fundit, të Kryesisë së saj. Shumë gjëra në Kosovë do të kishin qenë të mangëta, nëse kjo Lëvizje do të ishte shuar, do të ishte paqëtuar apo do i kishin mjaftuar konferencat e shtypit të ditës së premte.

Vendimi i saj historik për krijimin e UÇK-së është ndoshta më madhori në historinë e kombit tonë në gjysmën e dytë të shekullit të shkuar. Bardhyli është pjesë e këtij mendimi dhe realizimi.

Kur është fjala për vitet, Bardhylit i thoja gjithnjë, i them edhe tani, “Ti je i ri”, megjithëse shumë ujëra kanë rrjedhur.

Në vetëdijen time ai është përherë i ri, ashtu si në atë foton e famshme në demonstratat e marsit të vitit 1981, kur me një hu të madh në dorë prin në ballë të turmës.

Është i ri nga mendimi pasionant i tij dhe vetëm një njeri me energji të pashterrshme do të kishte mundur të krijojë dhe të sjellë tek ne dy nga librat më të vyer të kohës së tashme, “Mashtrimi i madh” dhe Eskadronët e vdekjes”.

Dy libra që, sado të ndryshojnë nga njëri tjetri, kanë në vete zejen e përbashkët të hulumtimit, të dokumentimit, të së vërtetës, shpalljes së saj dhe ngjizjen e mendimit që nuk duhet fshehur.

“Mashtrimi i madh” është tani një libër dokumentar që ka zënë vend në tryezat e shumë kancelarive dhe duhej të ishte paraqitja e parë e trupës sonë diplomatike, kudo në botë.

“Eskadronët e vdekjes” është roman, me të gjitha përmasat që i duhen një romani.

Autori i përbashkët, Bardhyl Mahmuti nuk do të kishte mundur t’i shkruante nëse nuk do të kishte pasur në vete disa gjëra themeltare: vlerën si njeri, aftësinë si shkrimtar, guximin si politolog, dijet si militanti që ka qenë në thelbin e ngjarjeve, atdhedashurinë, të ngulitur në brezat e fisit të tij, përkushtimin si njëri nga çlirimtarët, dhe bindjen e qartë se asgjë nuk duhet harruar, dhe libri është një mënyrë për të rrokur realitetin dhe jo për të përmbytur apo përmbysur atë.

Romani

Si e shkrova, Bardhyli është një ish student i burgosur politik, i përndjekur, i kërkuar për t’u arrestuar përsëri dhe , në fund, si të mjaftonin vetëm vitet e burgut të babait të tij, do të shtohet edhe sketerra që ai vetë përjetoi. Skenat e burgut, që përbëjnë njërin nga kapitujt më rrëqethës të librit, si duket, kanë edhe atë çka vetë autori ka përjetuar.

Dhe, duke e ditur këtë, njeriu mund të mendojë se ky njeri, që ka pasur këtë rrugëtim, shokët e miqtë e të cilit janë vrarë në luftë, do të ketë ende në vete mllefin, urrejtjen, zemërimin e, ndoshta, edhe dëshirën e hakmarrjes.

Në hyrjen e librit, në dedikimin e parë, njeriu ndjen se është i gabuar. Gjërat janë përmbysur, mund të mendojë dikush. Por, e vërteta është krejt tjetër.

Me respekt të veçantë për guximin intelektual të Natasha Kandiqit, Mirosllav Filipoviqit, Sonja Biserkos, Sllavko Quruvijës dhe atyre serbëve që ngritën zërin kundër gjenecidit serb në Kosovë”, atyre u kushtohet edhe ky libër.

Por, asgjë nuk është harruar. Me një gjetje mjeshtërore, si të hapësh siparin e një tragjedie, autori ka vendosur  në tri faqet e para thelbin e asaj që ka ndodhur: është përurimi i pestë i një libri për nazistët gjermanë, sidomos njësitë e saj speciale SS dhe, kur e gjitha është shpallur, një studente e drejtësisë, vajzë e re serbe, pyet habitshëm, – Si është e mundur që eskadronët e vdekjes i kanë shpëtuar ndëshkimit?

Po eskadronët serbë të vdekjes, ata që mbollën tmerrin dhe përgjakën trevat ballkanike, ku janë, çfarë ka ndodhur me to, çfarë krimesh janë ende të pandëshkuara? Cila është e vërteta e krimit të tyre në Kosovë? Ishte rastësi, krim i pamenduar apo një piramidsë e tërë shtetërore vuri në lëvizje krimin e vjetër ballkanas, mllefin, urrejtjen, që, sado të fshihen pas mantelit të përgjakur të Millosheviqit , nuk e justifikojnë edhe vetë popullin serb, që, përmes eskadronëve të vdekjes u bënë pjesë e masakrës.

Nuk ka libër më tronditës, më të domosdoshëm dhe më të vërtetë.

Bëj pjesë në ato miq të autorit që e lexova librin kur ende ishte në dorëshkrimin e tij. Ishte çdo gjë rrëqethëse dhe ajo që ndjeja në vete, pas leximit të tij, ishte e pangjarë me asgjë tjetër. Në kronikën e botës është shkruar vazhdimisht për krimet. Si duket, historia nuk mund t’i përjashtojë ato. Për krimet e makinerisë serbe në Kosovë kronikat janë gjithnjë të pamjaftueshme, pasi vetë ato kanë qenë të përbindshme, dhe, sado që një skotë e tashme, lidhur me të djeshmen, përpiqen të gjejnë alibinë e krimit, kjo është e pamundur.

Në historinë e ardhshme të krimit në Kosovë, jam i bindur se, brezat e ardhshëm do të krijojnë silologjinë “ buxhovizëm”, si dëshmi e përversitetit kombëtar, e mashtrimit të ndjekur nga një grumbull mashtrimesh të tjera, ku fusha e luftës , në të cilën derdhej gjak, u trajtua si vetëgjyqësi mes shqiptarëve. Për të përmbysur të vërtetën e asaj që ka ndodhur, jo vetëm në luftën e fundit, pra, për të përligjur masakrat e tyre kundër shqiptarëve, Serbia ka krijuar një mal me mashtrime, dhe mashtrimit u duhet kundërvënë gjakftohtësisht, e vërteta.

Këtë sjell libri i Bardhyl Mahmutit, dhe kjo ishte ndjenja e parë që më pushtoi kur po lexoja faqet e këtij libri të madh.

Kur e përfundova, mendja ime ishte e drobitur. Kisha menduar se bëj pjesë në ato njerëz që, duke e lidhur jetën me fatin e Kosovës dhe të miqve të mi të atjeshëm, dija shumë gjëra, shumë të vërteta, por më duhet ta pranoj se ajo kishte qenë përtej përmasave që kisha ditur, shumë tej ankthit që kisha pasur; ishte tronditëse, e gjithanshme, pushtuese.

Në shekuj pushtimi serb kishte synuar vetëasgjësimin e shqiptarëve, duke i krijuar rrethin e dhjetë të ferrit, më të tmerrshmin, mohimin e vendlindjes, dhe, kur e kishte parë se nuk ia kishte arritur, atëherë kishte hequr të gjitha maskat, kishte nisur asgjësimin e tmerrshëm, të pangjarë në 100 vitet e fundit. Ky libër, që më kishte tronditur, mendova, duhet bërë i njohur kudo, në çdo vend, në çdo takim, pavarësisht se kush e ka shkruar, aq më tepër një përsonalitet si Bardhyl Mahmuti.

Atëherë i shkrova Bardhylit rrjeshtat e mësipëm, të cilët po i risjell pa i ndryshuar asgjë.

Zakonisht për librat shkruhet pasi ata botohen e rrallë herë kur ende janë në përgatitje e sipër. Duhet të ketë një ngjizje të veçantë, një ngasje të pazakontë që të bësh të kundërtën , ose të ndryshmen e asaj që ke bërë deri më tash.

Këtë ngasje ma dha libri i ri i politologut dhe mikut tim të vyer, Bardhyl Mahmuti, që , pas dëshmisë së pakrahasueshme që solli me “Mashtrimi i madh”, tani , në një përmasë të re na sjell romanin ” Eskadronët e vdekjes”.

Një libër i pazakontë në të gjitha pikëpamjet. I veçantë. Tronditës deri në thelb.. Që me gjithçka i kalon kufijtë e një romani dhe ky kapërcim kufijsh është artistikisht madhësia e tij si vepër, është koncepti njerëzor që sjell, saktësia e rikrijimit të një bote që ishte e pranishme aq shumë më jetën e shqiptarëve të Kosovës, por edhe përtej tyre; është përpjekja e pamasë në kërkim të konceptit europian të tejshkimit të botës, rizgjimi i një makthi që ishte deri në deje, përmes një gjuhe të punuar kujdessshëm, por edhe e përceptuar si dekori i ngjarjeve të zhvilluara.

Është libër i pazakontë, që nga kushtimi, i cili pak kujt do i kishte shkuar ndër mend. Shumë vetë as që mund ta mendonin se një njeri i politikës dhe i artit, prijës në demonstratat e mëdha të pranverës së vitit 1981 – fotoja e Bardhylit me flamur në dorë është njëra nga më rrëqetheset-; i burgosur politik dhe i panënshtruar politik, pjesë e trupës drejtuese të Lëvizjes Popullore të Kosovës, antar i Drejtorisë Politike të UÇK-së dhe zëri i saj në Perëndim, debatues i dorës së parë dhe mik i shumë nga të rënët në luftën e gjatë për lirinë e Kosovës, do ia kushtonte librin e tij , si një memorial, disa figurave të shoqërisë civile të Serbisë, duke filluar që nga Natasha Kandiç…

Është libër i pazakontë, pasi, ndryshe nga sa i kemi parë ngjarjet e fundit në Kosovë, ku këndvështrimi ishte gjithnjë përmes syrit tonë, tani ngjarjet rrjedhin nga vështrimi i pak intelektualëve serbë, gazetarë e krijues, të cilët duan të dëshmojnë se edhe mes çakejve ka njerëz të arsyeshëm, por që në fund bëhen edhe prehë e dhunës, e vrasjeve dhe shkatërrimit moral e fizik;

Është libër i pazakontë ,sepse sjell në dimension të ri atë që ka ndodhur në Kosovë; vrasjet e pafund, të përbindshme,  burgimet e gjata, qendresën, torturat dhe , mendoj unë, vetëm një njeri që i ka ndjerë ato në kurrizin e tij apo të miqve të tij, mund t’i dëshmojë kaq sinqerisht, detajisht dhe përmes rrëfimit  rrëqethës atë që ka ndodhur.

Është libër i pazakontë sepse të mbërthen që në çastin e parë, që atëherë kur nis e lexon faqet e para, në fillim nga kureshtja, sepse autori është një emër nga më të njohurit e, më pas, sepse nuk mund të shkëputesh, nuk mendon se si koha rrjedh, por e bën atë pjesë tënde, nuk e di se në cilën orë je dhe, vetë hapësira të duket se është kthyer edhe një herë pas, në ato vite që ishin themeltare për të ardhmen.

Është i pazakontë, pasi, me gjithë dëshminë që sjell dhe të duket se i gjithë mendimi konceptual i librit rrjedh nga “Mashtrimi i Madh”, pra , megjithëse e vërteta vjen si një uragan, libri nuk ka mllef, verbëri, urrejtje, nuk të ngjall dëshirën për dhunë; ai ka mendim dhe , si gjithnjë , mendimi është më i fuqishëm se sa dhuna dhe verbëria.

I pakapshëm në shikimin e parë është romani në 500 faqet e tij, por pas këtyre faqeve qëndron një epokë, një botë, disa gjenerata. Ndoshta gabohem, por asnjëherë më parë, në romanin tonë të këtyre viteve, nuk ka ardhur një kërkim kaq i pamatë, një fushë kaq e gjërë, ku lëvizin përsonazhe reale, me emra dhe bëma reale, që nga presidenti i sotëm Vuqiç, i portretizuar në përshfaqjen e tij më të saktë, e deri tek njerëzit e zakonshëm, mes të cilëve të ngjall krupën zagoria e lumpenit të shërbimit të fshehtë serb.Ajo që përbën edhe thelbin e eskadronëve të vdekjes. Përballja me to ka qenë detyrim historik i shqiptarëve, pavarësisht nga çmimi i lartë i paguar.

Kjo forcë që Bardhyli ka sjellë në romanin e tij është e furtunshme, por edhe e bukur si pyll i qendresës, është shtërngatë dhe rrëke njerëzore, si të gjitha ato gjëra, vlera e të cilave Mbetet në intesitetin e shprehjes. Harmonia e përpjestimit të së vërtetës dhe të krijimit në roman është magjike, e kujdesshme dhe vepron përmes shumëfishimit të pafrenueshëm të fuqisë së të vërtetës, të shprehjes, mjediseve, forcës së karaktereve.

Në fakt, përmes një romani ai ka krijuar një kozmos, i cili ka vetëm një ligj të pandryshuar, përmes të cilit, të gjithë njerëzit, bashkimi i qëndrueshëm i të cilëve bën epokë, krijohen gjithashtu nga epoka dhe dëshmojnë se, nuk mundet që nga gjërat e lëvizshme të gjenden vlera të qëndrueshme, por vetë qëndrueshmëria krijon vlerat e saj.

Një libër që të lë pa gjumë dhe të rrëqeth ende duke qenë në ekranin kompjuterik është gjithësesi i veçantë, por , në këtë rast, kemi të bëjmë me një roman që në fakt sjell edhe vetë karakterin e Bardhylit . Një roman që nuk është aspak biografik, por që përcepton një botë.

Dostojevski, shumë dekada më parë, do të shkruante se “Ç’gjë mund të jetë për mua më fantastike sesa realiteti”.

Dhe ky roman është aq realist dhe aq konseguent, aq i vërtetë dhe mrekullisht i shkruar përmes një stili rrëmbyes, saqë kalon shumë kufinj dhe të duket e habitshme, – mua për vete më është dukur – duke e ditur temperamentin e zjarrtë të Bardhylit dhe njeriun polemist të dorës së parë, se si ai mbetet në roman hulumtuesi i ftohtë, që aq qetësisht ka zhytur shikimin e tij njerëzor në thellësinë e jetës.

Një roman që do të trondisë shumëkënd dhe do të jetë i domosdoshëm për të ditur se çfarë në të vërtetë ka ndodhur.

Jo kushdo mund ta pohojë lirinë e vet në botën e tij. Mjerisht, jo të paktë janë ato që, të mbyllur në palirinë e tyre, mendojnë se janë të lirë.

Liria duhet të jetë marramendëse, ndryshe nuk është asgjë tjetër, veçse forma e jashtme e saj.

Urime, mik i vjetër!

Namik Dokle më shkroi:

Bedri i dashur, dje Bardhyli me dergoi redaktimin perfundimtar te romanit dhe menjehere u “zhyta” ne kroniken e tij te shkruar mrekullisht; me pasion luftetari dhe qetesi filosofi njeheresh, me dhimbje per vuajtjet dhe krenari per sakrificat, me dashuri te pakufishme per Kosoven dhe perkujdesje e dashuri per gjuhen shqipe, me skrupulozitet studiuesi per te verteten dhe respekt per te tjeret. Pas librit te tij Mashtrimi i madh, ky roman ofron te vertetat e luftes per liri te Kosoves nga nje pikeveshtrim tjeter, sa origjinal po aq edhe trondites.

*****

Autori Bedri Islami ka qenë kryetar i Lëvizjes Popullore të Kosovës gjatë kohës së Luftës/ Botuar në DITA

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit