Anija me qymyr ku u gjet sasia prej 59 kilogramë kokainë, i është nënshtruar kontrollit edhe në pjesën e poshtme të saj për të parë nëse ka kokainë të fshehur. Polumbarët e forcave RENEA kanë ushtruar kontrolle në motorin e anijes Unistream, ndërkohë që vijon kontrolli në tonelatat me qymyr.
Për verifikimin e saj qymyri është kaluar në sitë nga ana e agjentëve të antidrogës. Ndërkohë është kontrolluar dhe për pjesë të shtuara në hambarin e anijes. Sasia prej 59 kg kokainë e ndarë në 53 pako e cila u zbulua në pjesën e hambarit të anijes që vinte nga Kolumbia, është dërguar në laborator për analizim.
6500 ton qymyr që mbante në bord anija ishin porositur nga një kompani turke me veprimtari në Shqipëri. Gjatë marrjes në pyetje ekuipazhi i anijes Unistream ka mohuar të ketë patur dijeni për ngarkesën me kokainës tashmë të sekuestruar.
Zbulimi i pakove të kokainës u bë nga Task Forca e Portit të Durrësit, pas sinjalizimit të bënë partnerët ndërkombëtar tek autoritetet shqiptare për anijen me flamur të Antigua Barbuda nga Ishujt Karaibe.