Ish-kryeministri Sali Berisha ka bërë një deklaratë të fortë gjatë një takimi elektoral me demokratët në qytetin e Korçës, ku u shpreh se kur të vijë PD-ja në pushtet, do të shpallë non-grata multimiliarderin George Soros.
Sipas Berishës, filantropi Soros është armik për demokracinë në Shqipëri i cili sipas ish-kryeministrit është angazhuar në shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.
Ndër të tjera, Berisha ka zbuluar kërkesën që ka bërë për Parlamentin Europian dhe Kongresin e SHBA-së.
Berisha u shpreh se ka kërkuar këto dy instanca të ndalojnë çdo veprimtari politike të Soros jashtë SHBA-së.
“Po të garantoj që nga aktet e para të PD-së në pushtet do të jetë George Soros non-grata. George Soros, me rivendosjen e monizmit në shoqërinë civile në Shqipëri, me vendosjen e drejtësisë me reformën e tij në kontrollin e qeverisë, me implikimin e tij direkt në shkëmbimin e territoreve midis Serbisë dhe Kosovës dhe projekte të tjera, është një armik i vërtetë i demokracisë shqiptare. Kam kërkuar nga Parlamenti Europian dhe Kongresi i SHBA-së, të ndalojë çdo veprimtari politike të tij jashtë SHBA-së. Për Shqipëri, ai nuk do të ketë më vend, dhe nuk do ushtrohet aktiviteti i tij në Shqipëri” – tha Berisha.