Nga Dylber Balla
Grupi i PD-së mesditën e sotme i mbledhur nga Enkelejd Alibeaj diskutoi dhe doli me 10 kandidatë të propozuar për President të Republikës, që do të kalojnë përmes një komisioni për të shkuar me një emër në raundin e dytë në 23 maj ora 18:00.
Mes emrave që u propozuan nga deputetët e PD-së ishte edhe Lajla Përnaska. E kontaktuar nga “5pyetjet.al” ish-deputetja e vlerësoi faktin që është propozuar dhe theksoi se është gati që t’i shërbejë vendit në cdo pozicion. Ajo foli edhe për krizën në PD.
Intervista me Lajla Përnaskën
A jeni në dijeni që jeni propozuar për Presidente?
Po, tani, sapo më njoftuan miqtë për propozimin.
A do të pranoni?
E para, unë vlerësoj që procesi të jetë brenda kuadrit ligjor dhe profesional. Kam qenë vetë pjesë e zgjedhjes së dy presidentëve dhe e njoh si funksionon kjo procedurë. E dyta vlerësoj cdo koleg, mik apo politikan që beson në figurën time dhe uroj shumë që të dalin me kandidatura sa më të arrira që përfaqësojnë të djathtën. Do i bënte mirë vendit që ai institucion të drejtohet nga një kandidaturë që vjen nga e djathta.
Por, tashmë nuk duhet vetëm konsensusi nga PS, por edhe PD-ja referuar gjendjes që ndodhet, a mendoni se do ta bindni partinë tuaj?
Unë misionin tim në politikë e kam parë për t’i shërbyer vendit, për të bërë më të mirën, që vendi im të ecë në atë rrugë që i takon dhe jam e qartë që Presidenca është kyç në ecurinë e zhvillimeve demokratike dhe integrimit. Unë në vite kam dhënë kontribut pikërisht për këtë prioritet kombëtar, në cdo rrethanë në bashkëpunim me të gjithë aktorët që kanë të njëjtin qëllim për t’i shërbyer integrimit në Europë do të vazhdoj që të bashkëpunoj.
Por si do të bindni partinë tuaj për të qenë e unifikuar?
Unë do të respektoj procesin deri në fund dhe parimi im nuk ndryshon; unë i shërbej vendit tim, qytetarëve dhe shoqërisë, kombit tim, në cdo lloj angazhimi. Le të respektojmë procesin. Edhe ajo për një figurë femërore në atë institucion i përgjigjet realitetit, do të ishte një arritje pozitive edhe për Shqipërinë. Kemi modelin e Kosovës dhe vende të tjera.
Edhe ju mendoni si kryeministri që duhet një zonjë në Presidencë?
Jo, unë mendoj atë që kam bindje, që roli i gruas në një vend është shumë i rëndësishëm dhe ka kapacitete dhe vlera në drejtimin e vendit për të arritur standardet maksimale.