Shqipëria është një nga disa vende që ka porositur për të blerë raketat antitank Javelin të prodhuara nga konsorciumi amerikan Javelin Joint Venture, e cila përbëhet nga kompanitë Lockheed Martin Corp dhe Raytheon Technologies Corp. Lajmin e bëri të ditur Lockheed Martin në një njoftim për shtyp ku raportoi se blerjet e Shqipërisë, Norvegjisë, Letonisë dhe Tailandës janë pjesë e një porosie me vlerë 316 milionë dollarë nga Pentagoni.
Numri i raketave dhe vlera porosisë nga Shqipëria nuk bëhet e ditur. Javelin është një sistem raketor që ka filluar të përdoret që nga viti 1989 dhe që pritet të përdoret së paku deri në vitin 2050, sipas kompanisë. Ajo kushton rreth 250 mijë dollarë për copë por është në gjendje të hedhë në erë një tank që kushton shumëfish më shtrenjtë.
Kompania prodhuese ka marrë kërkesa të shumëfishta nga vende të ndryshme të botës pas suksesit të demonstruar të këtij sistemi në luftën e Ukrainës, ku ushtria e Ukrainës arriti të mposhtë tanket e panumërta ruse falë efikasitetit të këtij sistemi. Kompania pret që të rrisë prodhimin në rreth 2100 copë këtë vit.