Nuredin dumani ka folur dhe për një tjetër atentat të kryer ndaj Lulzim Mashës, administratorit të një shkolle në Tiranë.
Në lidhje me këtë ngjarje ka folur dhe Skerdi Tasi, i cili është shprehur se në momentin e atentatit ai thjesht po lëvizte në zonën e Liqeni të Thatë dhe është shprehur se e ka ngatërruar Mashën me një person që ishte konfliktuar më herët.
“Më kujtohet që aty ku ndodhet një pallat i lyer si me të kuqe që e njoh si pallati me perde kam marrë rrugën e shtruar që vjen rreth liqenit duke ikur në drejtim për nga teatri veror, kam vazhduar rrugën ku del tek një fushë volejbolli që ka disa bar kafe. Kam qëndruar rreth një orë dhe kam parë që një mjet ML me targa Tirane, për të cilin mendoja se ishte e një personi që dy javë më parë kisha pasur një debat. Në momentin që pashë automjetin kam nxjerrë një armë zjarri e tipit automatik skorpions dhe kam qëlluar mbi makinën. Në momentin që pashë se personi në makinë nuk ishe ai që prisja kam ndaluar së shkrepuri armën dhe jam larguar me vrap”, është shprehur Tasi.
Dumani ka hedhur poshtë këtë dëshmi dhe ka treguar se ekzekutimi është bërë për hesap të Suel Çelës.
“Gjatë komunikimit që kam pasur me Suel Çelën në Matrix më dha një kontakt të një mikut të vet, që ishte i interesuar për eliminimin e pronarit të shkollës…. Më dha kontaktin e këtij personi dhe me këtë person fola disa ditë dhe më kërkoi eliminimin e pronarit të shkollës … për shumën 150.000 Euro”, ka deklaruar Dumani.
Dumani shprehet se ky person i ka ofruar 150 mijë euro për kryerjen e vrasjes dhe pas arritjes së ujdisë ai ka marrë në telefon Henrik Hoxhaj, bashkëpunëtorin tjetër të drejtësisë për zbardhjen e vrasjeve të bujshme, të cilin e thërret shkurt “Riku”.
“Me Rikun kontaktova në telefon me aplikacionin “Matrix”. Rikun në Matrix e kam regjistruar kusho. Riku pranoi dhe unë i dhashë atij fotografinë e personit si dhe të ambienteve që mi kishte dërguar i interesuari për të realizuar vrasjen”, ka deklaruar Dumani.
Ai thotë se Riku bashkë me Skerdi Tasin “nipçja” janë vënë në ndjekje të Mashës ditën e ngjarjes. Dumani shprehet se pasi kanë qëlluar ndaj Mashës i ka shkruar mesazh në “Matrix” personit që kërkonte “kokën” e tij dhe i ka thënë “Më fal se dështuam”. Dumani thotë se ai i është përgjigjur “Të jenë mirë çunat”. Më pas Henrik Hoxhaj ka shkuar te parkingu i një qendre tregtare në dalje të Tiranës për të marrë kaparin prej 10 mijë eurosh.
“Riku më ka treguar se, kur ka shkuar të marrë makinën e kanë pritur dy persona, ku njëri prej tyre e ka nxjerrë makinë 30 metra larg nga blindi dhe më pas kanë qëndruar të dy në makinën e blinduar duke pritur mbërritjen e Rikut, “nipçes”… Sipas Rikut njëri nga personat në blind ka qenë trup i mbushur dhe qeros. Ditën e ngjarjes Riku komunikoi me mua në Matrix dhe me tha “kusho lëre se u fëlliqëm”. Riku më tha se i ishte bllokuar arma.
Sipas Rikut në drejtim të objektivit ka qëlluar nipçja. Nuk e di se çfarë makine kanë përdorur për të vajtur apo për tu larguar nga ngjarja. Pas ngjarjes i shkrova kontaktit që më dha Suel Çela dhe i thashë me fal se dështuam. Ky personi me tha se e kishte marrë vesh dhe më tha të jenë mirë çunat. Fola dhe me Suelin për këtë por e trajtuam si me shaka, pasi ai ishte i kujdesshëm në bisedë. Për këtë porosi Henriku ka marrë 10.000 Euro kapar”, ka treguar Dumani.