Gjyqtarja e Gjykatës Administrative të Apelit pretendoi në KPA se ankimi i Komisionerit Publik nuk qëndronte, ndërsa këmbënguli në ligjshmërinë e pasurisë së saj dhe të bashkëshortit.
Kolegji i Posaçëm i Apelimit dëgjoi të enjten parashtrimet e gjyqtares së Gjykatës Administrative të Apelit, Rilinda Selimi, në çështjen e ngritur pas ankimit të Komisionerit Publik ndaj konfirmimit të saj prej Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Selimi kundërshtoi në mbrojtjen e saj kërkesën e Komisionerit Publik për të rihetuar pasurinë e saj, kundërshtoi konsiderimin si person të lidhur të vjehrrit, ndonëse tha se ishte sjellë prova për të dokumentuar ligjshmërinë e pasurisë së tij.
Ajo e cilësoi të pabazuar ankimin e bërë në kriterin e figurës. Duke iu referuar shkarkimit të bashkëshortit dhe pretendimit të Komisionerit për hetim në këtë aspekt, Selimi tha ndër të tjera se: “mes konfirmimit dhe familjes, zgjedh familjen”. Selimi po ashtu kundërshtoi edhe pretendimet e Komisionerit në kriterin e profesionalizmit, pasi shtoi se nuk kishte qenë në asnjë rast në konflikt interesi dhe këmbënguli se padia ndaj një kompanie ajrore kishte qenë e drejtë e saj.
Më herët në seancën e 28 prillit, trupa e kryesuar prej Sokol Çomos, me relatore Rezarta Schuetz dhe anëtarë Natasha Mulaj, Albana Shtylla dhe Mimoza Tasi dëgjoi parashtrimet e Komisionerit Publik, që u lexuan nga ish-komisioneri tani anëtar i Gjykatës së Lartë, Darjel Sina. Sina kërkoi në seancë hetimin e Selimit në të tre kriteret, duke pretenduar se ajo gjendej me deklarim të pamjaftueshëm të pasurisë dhe me cënim të besimit të publikut te drejtësia.
Rilinda Selimi, gjyqtare pranë Gjykatës Administrative të Apelit, u konfirmua në detyrë në 14 dhjetor 2020 nga trupa e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit drejtuar nga Pamela Qirko, me relator Lulzim Hamitaj dhe anëtar Olsi Komici. Por Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, rekomandoi menjëherë apelimin e vendimit, duke arsyetuar se KPK nuk kishte hetuar apo kishte hetuar sipërfaqësisht disa prej problemeve të gjyqtares që preknin të tre kriteret e rivlerësimit.
Komisioneri Publik bazuar në këtë rekomandim ankimoi çështjen dhe kërkon po ashtu rihetim të Selimit në të tri kriteret.
Sqarimet e Komisioneres
Seanca e së enjtes filloi me sqarimet që u lexuan nga Komisionerja Publike, Irena Nino, e cila ka zëvendësuar në këtë post Darjel Sinën. Nino lexoi përgjigje të një serie pyetjesh që iu bënë Komisionerit Publik në seancën e 28 prillit nga relatorja Rezarta Schuetz, që vuri në dukje ndryshime mes ankimit dhe parashtrimeve të lexuara në seancë.
Nino lexoi ndër të tjera se Komisioneri Publik i qëndronte shkaqeve të ankimit dhe se parashtrimet ishin vetëm detajim i këtyre shkaqeve.
“Nisur nga sa më sipër, Komisioneri Publik, në parashtrimet e datës 28.4.2022, ka dhënë drejtimet konkrete të nevojës për çelje të hetimit, sigurisht pa u kufizuar vetëm në to, si dhe i qëndron të gjitha shkaqeve të ankimit të datës 12.2.2021, duke përfshirë referencat ligjore të cituara në ankim, të cilat legjitimojnë hetimin,” tha Nino.
Ajo sqaroi më pas secilën prej pyetjeve, duke ritheksuar se u qëndronte shkaqeve të paraqitura në ankim, por se në parashtrime ato ishin sjellë më të detajuara. Sipas Ninos disa nga kërkesat shtesë ishin parë të arsyeshme për të bërë hetim të thelluar.
“Nëse nga analiza ligjore dhe faktike pas hetimit në Kolegj do të rezultonte se personat e tjerë të lidhur nuk kanë burime të ligjshme për të krijuar pasuritë e deklaruara nga subjekti, referimi i bazës ligjore të zbatueshme do të jetë në varësi të këtyre rezultateve,” tha ajo sa i përket kërkesës për personat e tjerë të lidhur.
Nino po ashtu sqaroi se mosvendosja e Gjykatës së Librazhdit në listën e gjykatave ku duhej hetuar për konflikt interesi ishte një lapsus në shkrim dhe i kërkoi KPA ta merrte edhe këtë parasysh.
Parashtrimet e Selimit
Pas fjalës së Komisioneres, gjyqtarja Selimi lexoi një përmbledhje të parashtrimeve të saj. Selimi e ndau mbrojtjen në disa pjesë dhe fillimisht foli mbi shkaqet e ankimit për pasurinë e saj dhe të bashkëshortit.
Ajo tha se një shumë prej 8 mijë euro nga shitja e një makine, që kërkohej të hetohej sërish nuk ishte përfshirë në analizën financiare nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe prej kësaj ajo kishte rezultuar me një bilanc negativ. Ajo po ashtu përsëriti se nuk kishte pasur detyrim ligjor të paguante tatime për shitjen e kësaj pasurie.
Selimi këmbënguli po ashtu se dyshimet mbi kontratën e dhënies me qira të pikës së karburantit nuk qëndronin. Duke iu referuar pretendimit të Komisionerit Publik për paralelizëm mes kësaj kontrate dhe asaj të lidhur nga ish prokurori Besnik Cani, Selimi tha se rasti nuk ishte i ngjashëm.
Ajo kundërshtoi pretendimet për përfitime më të mëdha në kontratat e qirasë për këtë karburant duke vënë në dukje se ato ishin të diktuara nga tregu dhe nga vendi ku ndodhej karburanti. Gjyqtarja vuri në dukje se zona ishte ekskluzive duke shtuar se vendimet për të merreshin nga Këshilli Kombëtar i Territorit. Ajo tha se kontrata vazhdon të ishte e njëjtë dhe se ajo kishte prodhuar efekte përfshi pagesat e detyrimeve ndaj shtetit. Selimi tha se nuk e kuptonte ku bazohej pretendimi i Komisionerit dhe ONM-së që e cilësonin këtë si veprim të “palogjikshëm ekonomik”.
Gjyqtarja kundërshtoi përfshirjen në hetim si person tjetër të lidhur të vjehrrit të saj. Ajo i tha trupës se ai nuk plotësonte asnjë nga kriteret për t’u cilësuar i tillë dhe se bashkëpunimi i tij me bashkëshortin ishte ortakëri, ku palët kishin ndarë detyrimet dhe përfitimet. Megjithatë Selimi tha se kishte sjellë sqarime të mjaftueshme për pasurinë e vjehrrit dhe kunatit, përfshi edhe prova për të ardhurat e tyre e mundësitë për ndërtimin e një ndërtese në Fushë-Krujë.
Gjyqtarja u ndal më shkurt në kriterin e figurës. Ajo pretendoi se F.D një person që konsiderohej si kontakt i papërshtatshëm i saj, nuk ishte i tillë për shkak se ai ishte dënuar vetëm për “moskallëzim krimi”.
Selimi iu kthye po ashtu çështjes së bashkëshortit Shkëlzen Selimi, ish-gjyqtar i Gjykatës së Lartë, i cili u shkarkua nga institucionet e rivlerësimit për kontakte të papërshtatshme. Gjyqtarja tha se ajo nuk i diskutonte për parim vendimet e gjykatës, duke iu referuar vendimit ndaj bashkëshortit, por se në këtë rast do duhej të komentonte mbi të.
Ajo vuri në dukje se ndërsa bashkëshorti ishte shkarkuar për shkak të pretendimit të ONM-së se kishte ndikuar në mos-ekstradimin e një personi me inicialet A.I, i kërkuar për trafik narkotikësh nga një vend fqinj, gjyqtarja që kishte vendosur lirimin e tij ishte konfirmuar nga KPK dhe vendimi nuk ishte ankimuar. BIRN gjeti se Selimi i referohej Arben Isufajt i njohur si Ben Qimja, ndërsa vendimi i KPK-së që ajo përmendi i përket gjyqtares Igerta Hysi.
Duke iu referuar rekomandimit të ONM-së dhe Komisionerit sa i përket faktit se bashkëshorti i saj ishte shkarkuar për shkak të kontakteve të papërshtatshme, Selimi tha se ajo nuk hiqte dorë nga familja për t’u konfirmuar në detyrë. Selimi tha se kishte dëgjuar sugjerime për t’u ndarë e të ngjashme, por tha se këto “më duken qesharake”.
Gjyqtarja po ashtu mbrojti pozicionin e saj sa i përket mospagesës së tatimeve për disa transaksione, cilësuar nga Komisioneri si shkelje e etikës. Selimi këmbënguli se nuk kishte pasur detyrim për këto pagesa dhe pretendoi se Komisioneri Publik kishte ngatërruar në ankim konceptet mes tatimit dhe taksave. Ajo tha se asaj i kërkohej të paguante taksë mbi fitimin, ndërsa nuk ishte person tregtar dhe se në kohën e transaksioneve nuk mund të paguante as taksë mbi të ardhurat.
Selimi këmbënguli se ankimi i Komisionerit sa i përket padisë së saj ndaj kompanisë Alitalia ishte i pabazuar. Selimi tha se nuk kishte asgjë që i ndalonte gjyqtarët të ankoheshin në gjykatë, për raste të ngjashme dhe se kjo mënyrë ishte zgjidhja e duhur e çështjes. Ajo tha se nuk e kishte përdorur titullin e saj për përfitime.
Në fund të seancës, Selimi i tha KPA se kërkonte të administroheshin si prova vetëm një pjesë e dokumenteve që kishte sjellë. Ajo tha se për pjesën tjetër do të priste arsyetimin e Kolegjit në vijim, për të parë nëse do duhej apo jo të kërkonte pranimin e tyre si prova.