Kompania shtetërore ruse e naftës, Rosneft, njoftoi të premten se ish-Kancelari gjerman Gerhard Schroeder dhe sipërmarrësi gjerman Matthias Warnig, po largohen nga bordi drejtues i kompanisë.
Parlamenti Evropian kishte bërë thirrje të enjten, që zoti Schroeder, tashmë në moshën 78-vjeçare, të përfshihej në listën e zezë, në rast se nuk jepte dorëheqjen nga bordi i kompanisë Rosneft, një lëvizje që synonte ta dekurajonte atë nga marrja e drejtimit të kompanisë ruse Gazprom, një emërim i njoftuar rishtazi.
Gjermania mbylli të mërkurën zyrën e zotit Schroeder, shpenzimet e të cilës përballoheshin nga taksapaguesit, pas indinjatës publike të krijuar nga përfshirja e tij e vazhdueshme në industrinë ruse të energjisë, megjithë sulmin e Rusisë në Ukrainë dhe refuzimin e tij për ta denoncuar publikisht Presidentin Vladimir Putin, të cilin e konsideron një mik personal.
Kompania Rosneft u shpreh në deklaratë se “përkrahim vendimet (e zotërinjve Schroeder dhe Warnig) dhe i falenderojmë për mbështetjen e tyre të vazhdueshme”.
Zoti Schroeder, kancelar i Gjermanisë gjatë periudhës 1998-2005, ka qenë një mbështetës i fortë i gazsjellësit nënujor Nord Stream, që furnizon Gjermaninë me gaz nga Rusia dhe ka qenë në bordin drejtues të kompanisë Rosneft që në vitin 2017.
Gjashtë burime të ndryshme i thanë agjensisë së lajmeve Reuters të enjten se edhe pesë nënpresidentë të huaj të kompanisë Rosneft, u larguan, pak përpara se të hynin në fuqi më 15 maj sanksionet e fundit të BE-së ndaj Rusisë.
Zoti Schroeder nuk iu përgjigj menjëherë kërkesave për koment. Agjensia e lajmeve Reuters nuk arriti ta kontaktojë zotin Warnig.
Zoti Schroeder drejton komitetin e aksionerëve të kompanisë Nord Stream, e cila menaxhon gazsjellësin Nord Stream 1, që kalon nga Rusia për në Gjermani përmes Detit Balltik, si dhe kryeson bordin e drejtorëve të kompanisë Nord Stream 2, një gazsjellës i dytë funksionimi i të cilit u pezullua nga Gjermania pasi Rusia filloi sulmin në Ukrainë.
Zoti Warnig ishte punonjës i policisë sekrete Stasi gjatë periudhës së komunizmit në Gjermaninë Lindore, përgjatë pothuajse të njëjtës periudhë kur atje punonte për KGB-në zoti Putin. Zoti Warnig ka drejtuar kompaninë Nord Stream deri në vitin 2016.
Ai u bë drejtor ekzekutiv i kompanisë Nord Stream 2 në vitin 2015. OKB-ja vendosi sanksione ndaj tij sanksione më 23 shkurt.
Kompania Nord Stream konfirmoi se zoti Schroeder vazhdon të jetë drejtues i saj. Kompania Nord Stream 2 nuk ka bërë ndonjë koment./VOA