Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla, priti këtë të premte Delegacionin e Kuvendit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, të kryesuar nga Kryetarja, deputetja Saranda Bogujevci.
Ky takim u realizua në vijim të bashkëpunimit të ngushtë dhe intensiv midis Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës dhe menjëherë pas aplikimit të Republikës së Kosovës për t’u pranuar në Këshillin e Evropës, të dorëzuar më 12 maj.
“Kuvendi i Shqipërisë do të lobojë me të gjitha parlamentet e vendeve anëtare të KiE për të mbështetur pranimin e Kosovës në këtë organizatë të rëndësishme evropiane. Kuvendi po lobon edhe me pesë vendet e BE-së që nuk kanë njohur ende Kosovën për të siguruar mbështetje për njohjen e saj. Unë personalisht si edhe delegacioni i Kuvendit në AP të KiE do të ofrojmë të gjithë mbështetjen tonë që ky proces të finalizohet sa më shpejt dhe me sukses. Pranimi i Kosovës në KiE do të jetë një vendim i merituar dhe Shqipëria është në krah e mbështetje të vendosur të Kosovës”, tha Nikolla.