Avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, gjatë konferencës për ecurinë e çështjes për ish-krerët e UÇK-së, deklaroi se Nazim Bllaca ka vdekur.
“Prokuroria vazhdon të mbështetet te një dëshmitar, Nazim Bllaca, i cili ka vdekur. Ka informacione që ka qenë aset serb, i paguar nga shërbimet e fshehta serbe”, tha ai, duke dhënë kështu një lajm, për të cilin nuk është ditur asgjë në Kosovë.
Emri i Nazim Bllacës u bë shumë i njohur në vitin 2009, pasi ai deklaroi publikisht se mori pjesë në vrasje, plagosje dhe rrëmbime që pretendonte se i ka kryer Shërbimi Informativ i Kosovës (SHIK).
Pas kësaj deklarate, që bëri zhurmë fort të madhe, Nazim Bllaca që ishte vetëdeklaruar si agjent i SHIK-ut u bë dëshmitar i mbrojtur i EULEX-it. Në këtë cilësi, ai u largua nga Kosova dhe vendndodhja e tij nuk dihet.
Klankosova.tv ka kontaktuar me ish-avokatin e Nazim Bllacës, Osman Havolli, i cili ka deklaruar se nuk ka njohuri nëse Nazim Bllaca ka vdekur ose jo, duke shtuar se familjarët e këtij të fundit nuk ndodhen në Kosovë dhe verifikimi i këtij informacioni që sot e dha Ben Emmerson është i vështirë.