Policia ka bërë bilancin e shkeljeve pas monitorimit të qarkullimit të automjeteve në të gjithë vendin.
Pas kontrolleve të kryera me makinat inteligjente dhe radarët automatikë, në Rrugën e Kombit dhe në aksin Milot-Rubik-Milot janë pezulluar 78 leje drejtimi.
Gjithashtu janë evidentuar 369 drejtues automjetesh që qarkullonin me shpejtësi nga 20 deri në 30 km/h mbi normën e lejuar, të cilët u ndëshkuan me masa administrative që varionin nga 4000 deri në 10.000 lekë të rinj;
Njoftimi i plotë: Makina inteligjente dhe radarët automatikë, në monitorim të qarkullimit në Rrugën e Kombit dhe në aksin rrugor Milot-Rubik, i cilësuar si aks me risk për përfshirje në ngjarje rrugore.
Shpejtësi të papranueshme në Rrugën e Kombit, deri në 218 km/h, në kohën kur fluksi i lëvizjes së automjeteve ishte akoma i lartë.
Ndërsa në aksin Milot-Rubik e anasjelltas, në orët e mbrëmjes janë konstatuar shpejtësi nga 118 km/h deri në 164 km/h, në një aks pa ndriçim, në të cilin po kryhen punime nga enti pronar i rrugëve.
Si rezultat i skanimit të automjeteve me makinën inteligjente dhe radarët automatikë, në Rrugën e Kombit dhe në aksin Milot-Rubik-Milot:
٠janë pezulluar 78 leje drejtimi të drejtuesve të automjeteve që qarkullonin me shpejtësi nga 142 km/h deri në 218 km/h në Rrugën e Kombit, ku shpejtësia e lejuar është 100 km/h; janë pezulluar 17 leje drejtimi të drejtuesve të automjeteve që qarkullonin me shpejtësi nga 118 km/h deri në 164 km/h në aksin Milot-Rubik, ku shpejtësia e lejuar është 80 km/h;
٠janë evidentuar 369 drejtues automjetesh që qarkullonin me shpejtësi nga 20 deri në 30 km/h mbi normën e lejuar, të cilët u ndëshkuan me masa administrative që varionin nga 4000 deri në 10.000 lekë të rinj;
٠janë evidentuar 59 drejtues automjetesh në shkelje të dyfishtë – krahas qarkullimit me shpejtësi mbi normat e lejuara, drejtuesit përdornin edhe celularin gjatë drejtimit të mjetit;
٠janë evidentuar 53 drejtues të tjerë mjetesh në shkelje të dyfishtë – krahas qarkullimit me shpejtësi mbi normat e lejuara, drejtuesit nuk kishin vendosur as rripin e sigurimit;
٠janë evidentuar 81 drejtues mjetesh në shkelje të trefishtë – krahas qarkullimit me shpejtësi mbi normat e lejuara, drejtuesit përdornin celularin gjatë drejtimit të mjetit dhe nuk kishin vendosur as rripin e sigurimit.