Ish-kryeministri Sali Berisha dje finalizoi rikthimin zyrtar në krye të Partisë Demokratike, edhe pse çështja e vulës është ende në Gjykatën e Apelit. Por pyetja që shtrohet tashmë është se cili do të jetë qëndrimi i SHBA? Pak javë më parë, ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim e theksoi edhe njëherë qartësisht se nëse Sali Berisha vjen në krye të PD-së, SHBA i ndërpret marrëdhëniet me partinë e parë pluraliste në Shqipëri.
“Qëndrimi i Shteteve të Bashkuara mbi këtë çështje është shumë, shumë i qartë por përfundimi është se nuk do të kemi të bëjmë me dikë i cili është shpallur publikisht nga Sekretari i Shtetit për korrupsion madhor apo për minim të demokracisë dhe do të ishte fatkeqësi nëse nuk do të kishim marrëdhënie normale me një parti me të cilën kemi pasur një marrëdhënie të veçantë për një kohë kaq të gjatë” tha ajo.
Por a do të thotë kjo se pas liderit edhe PD po shkon drejt shpalljes “non grata”? Ndoshta, SHBA do të presë edhe vendimin e gjykatës së Apelit përpara se të shprehet zyrtarisht. Deri tani SHBA njeh Enkelejd Alibeajn si kryetar të komanduar duke injoruar cdo individ nga “Rithemelimi” dhe selia blu.