Tirana u trondit mbrëmjen e djeshme nga dy ngjarje kriminale që protagonistë kishin efektivët e policisë. Efektivi 25-vjeçar Ludjan Zaimi qëlloi me armën e shërbimit kolegun e tij Çaush Saliasi, 55 vjeç. Të dy, i riu që kishte vetëm një vit që kishte filluar punë dhe viktima prej 20 vitesh në shërbim ishin me origjinë nga Skrapari. Autori ka deklaruar se Saliasi e ofendonte dhe tallte. Në momentin që do të merrnin turnin, Zaimi ka deklaruar se nuk ka duruar dot më duke nxjerrë armën dhe qëlluar gjashtë herë. Plumbat e kanë kapur në gjoks duke i marrë jetën Saliasit.
Pas krimit, i tronditur efekti i ri la armën mbi tavolinë dhe u dorëzua. Pak orë më pas në Kombinat, efektivi i FNSH-së në gjendje të dehur ka qëlluar me armë 60-vjeçarin Murteza Lika, i cili vuante nga probleme të shëndetit mendor, fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën. Punonjësi i policisë është i shoqëruar në ambientet e komisariatit për t’ju nënshtruar veprimeve hetimore. Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqesor Tiranës ka ngritur dy grupe të posaçme hetimore për zbardhjen e ngjarjeve ku janë të përfshirë punonjës policie.
“Pas ngjarjes, ku punonjësi i policisë Inspektor Ludian Zaimi, 25 vjeç, në rrethana ende të paqarta, ka plagosur me armën e shërbimit në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, kolegun e tij, inspektor Çaush Saliasi, 55 vjeç, i cili pas dhënies së ndihmës së parë ka ndërruar jetë në spital. Grupi i posaçëm hetimor nga AMP ndodhet aktualisht në ambientet e Komisariatit Nr. 3 në Tiranë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motiveve të ngjarjes.
Për ngjarjen e ndodhur në territorin juridiksional të Komisariatit të Policisë Nr. 6 (Kombinat) ku punonjësi i policisë Lutfi Gjyli 48 vjeç, me detyrë trup shërbimi në Njësinë Operacionale të Ndërhyrjes së Shpejtë, në gjendje të dehur dhe për motive të dobëta ka plagosur me armë zjarri Murteza Likën, 64 vjeç, grupi i posaçëm hetimor është duke kryer të gjitha veprimet proceduriale me qëllim dokumentimin e plotë të kësaj ngjarje. Punonjësi i policisë është i shoqëruar në ambjentet e komisariatit për t’ju nënshtruar veprimeve hetimore” thuhet në njoftimin e AMP.