Të tjera detaje kanë dalë në dritë nga vrasja e policit të komisariatit numër 3, Caush Saliasi nga dora e kolegut të tij.
Bazuar në dëshmitë e dy kolegëve të tij pranë Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, mësohet se njëri nga kolegët e pyeti 25-vjeçarin Ludian Zaimi se përse ishte i mërzitur?.
Dëshminë e jep polici K.Q., bëjnë me dije burimet policore, që duke iu referuar atij, citojnë.
“Në momentin kur ka ndodhur ngjarja, unë isha në pjesën e oborrit të komisariatit. Çaush Saliasi ishte tek shkallët dhe po dridhte një cigare. U përshëndeta me të. Në këtë moment, pashë Ludian Zaimin që doli nga klasa dhe erdhi pas meje. Në këtë moment, e pyeta si je? Pse je i mërzitur? Dhe ai m’u përgjigj: ‘Nuk kam gjë po shtyhu mbrapa’.
Unë e pyeta çfarë ke, pse të shtyhem dhe ai më tha prapë: ‘Shtyhu, shtyhu’. Në këtë moment, ai nxjerr armën dhe unë i thashë çfarë po bën. Nuk m’u përgjigj dhe duke ia drejtuar Çaushit, i tha: ‘Tani do sqarohemi’. Çaushi u ngrit në këmbë dhe po hynte tek klasa që të shmangej, por Ludiani fillloi të qëllojë mbi të. Çaushi ra për tokë, kurse Ludiani po qëllonte mbi të edhe pse ai ishte shtrirë”.
Burimet thanë se në banesën e policit 25-vjecar, kur agjentët shkuan për të kontrolluar, i gjetën atij një recetë nga mjekja psikiatre A.Rreli që ishte lëshuar në datën 7 korrik 2021.
Ky medikament, lexonte “AstraZeneca”, thanë burimet e sigurta policore, që detajuan se medikamenti kishte mbishkrimin “Seroquel 25 mg”.
Ky ilaç, bëhet me dije, është përcjellë nga policia që po heton ngjarjen e rëndë drejt mjekësisë ligjore për të marrë një përgjigje zyrtare se për çfarë diagnoze përdoret.
Është e domosdoshme marrja e përgjigjeve nga mjekja psikiatre, shtuan burimet pasi policia ka urdhëruar këqyrjen e kartelës së policit që ishte në detyrë prej 18 muajsh.
Pra, menjëherë pasi ishte diplomuar në akademinë e sigurisë si polic dhe shërbente në patrullën e përgjithshme të policisë Tiranë.
“Kam dyshime se kolegu im e ka kryer vrasjen me paramendim”, – deklaroi oficeri tjetër, B.D., që sipas burimeve pranë komisariatit numër 3, ai la makinën të ndezur para komisariatit.
Oficeri, bëhet me dije se veç përgjigjes së shkurtër që dha paraprakisht, nuk ka pranuar të japë deklarime me arsyetimin se “jam i rënduar psikologjikisht”./si