Janë të shumta mediat botërore që i kanë bërë jehonë asaj që po ndodh në Tiranë në prag të finales mes Romës dhe Fejnordit. BBC shkruan se 19 oficerë policie u plagosën ndërsa mbështetësit u përleshën.
“Klubi italian Roma do të përballet me skuadrën holandeze Feyenoord në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, të mërkurën. Tifozët përdorën shishe qelqi, shkopinj, gurë dhe objekte të tjera” shkruan BBC.
“Në orët e para të mëngjesit të sotëm deportuam nëpërmjet portit detar të Durrësit 80 tifozë huliganë italianë”, tha policia.
“Si pasojë e dhunës ndaj policisë nga tifozët e të dyja skuadrave, kemi 19 efektivë të plagosur dhe njëri prej tyre është plagosur me thikë”, tha zëvendësdrejtori i përgjithshëm i policisë shqiptare Albert Dervishi.
Mbështetësit e Romës dhe Feyenoord-it pritet ta ndjekin ndeshjen në dy zona të tifozëve dhe policia tha se ka marrë masa për të parandaluar shpërthimet e dhunës.