“Gjatë bastisjes së kësaj të mërkure të 25 majit në lokacionin e minierës Shtaval, afër Sijenicës në Serbi, nuk janë gjetur eshtrat e personave të zhdukur që janë shqiptarë”, tha kryetari i Komisionit për Persona të Zhdukur, Veljko Odaloviç, raporton Tv Most.
Sipas tij, në këtë lokacion janë kryer kërkime për 13 ditë.
“Janë kontrolluar mbi 7 mijë materiale shpërndarëse dhe çka është me rëndësi, në këtë lokacion nuk janë gjetur mbetje”, shtoi Odaloviç.
Ai theksoi se janë kontrolluar të gjitha lokacionet për të cilat kanë marrë raporte.
Gjatë luftës së fundit në Kosovë, më 1998-1999, janë vrarë rreth 13 mijë e 500 persona, shumica dërrmuese shqiptarë.
Prej këtyre viktimave, 76 për qind besohet se ishin civilë. Ndërkaq, për nga përkatësia etnike, 10 mijë e 794 janë shqiptarë, 2 mijë e 197 serbë, kurse të tjerët u përkasin përkatësive tjera etnike.
Një plagë tjetër e luftës janë edhe rreth 1 mijë e 600 persona të pagjetur, kryesisht shqiptarë.
Në përfundim të misionit të tij, Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte në ish-Jugosllavi, ka rekomanduar që vendet e ish-Jugosllavisë ku përfshihej edhe Kosova t’i hetojnë dhe trajtojnë krimet që janë kryer në territorin e këtyre vendeve.