Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA shpalli të enjten më 26 maj vendimin për lënien në fuqi të shkarkimit nga detyra të ish-kryetares së Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Durrës, Marjana Velçani. Vendimi u mor nga trupa gjykuese e Kolegjit e kryesuar nga Rezarta Schcuetz, me relatore Albana Shtyllën dhe anëtarë Ina Rama, Mimoza Tasi dhe Sokol Çomo.
Në momentin që kryesuesja Schuetz ishte duke njoftuar konkluzionet e Kolegjit për këtë çështje, ish-gjyqtarja Velçani u largua nga salla. Pas shpalljes së gjithë vendimit u largua edhe përfaqësuesja e saj ligjore.
Marjana Velçani u shkarkua nga detyra me vendim të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK më 12 dhjetor 2019. Sipas vendimit të arsyetuar të KPK-së, ajo rezultoi me mungesë burimesh të ligjshme për blerjen e një apartamenti, një makine si dhe për shpenzimet familjare.
Njoftim vendimi
Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Rezarta Schuetz kryesuese, Albana Shtylla relatore, Ina Rama, Mimoza Tasi, Sokol Çomo anëtarë, shpalli vendimin për çështjen (JR) nr.11/2020, datë 18.02.2020, që lidhet me ankimin e subjektit të rivlerësimit Marjana Velçani kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 222, datë 12.12.2019.
Në përfundim të gjykimit, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “a” e ligjit nr.84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi:
Lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 222, datë 12.12.2019, që i përket subjektit të rivlerësimit Marjana Velçani.
Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.
U shpall sot, në Tiranë, më datë 26.05.2022.